​Molliqaj: Protesta nuk është e PSD-së, është e atyre që janë kundër rritjes së energjisë elektrike

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka thënë se protesta duhet të jetë e të gjithë atyre që nuk pajtohen me rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Molliqaj ka thënë se protesta e cila do të mbahet më 29 janar, të shtunën, ka qenë e pashmangshme dhe e domosdoshme, pasi që nga fillimi i kësaj krize të energjisë elektrike, kishte reduktime dhe gabime që bëri Qeveria e Kosovës.

Sipas tij, gabimi i parë është subvencionimi që iu është bërë humbjeve të një kompanie private duke ia ndarë 45.5 milionë dhe ka zotuar 75 milionë euro për një periudhë 12 muaj.

Kurse, gabimi i dytë sipas Molliqajt, se është që ZRRE ka shkruar një dokument që është në përputhje me kërkesat e KEDS-it e të cilin e ka dorëzuar në Qeveri.

“Qeveria duke rrit çmimin e energjisë po ngarkon qytetarët për t’i favorizuar bizneset, qoftë ato që fitojnë apo humbin. Protesta nuk është e jona, e kemi thirr për të gjithë ata që janë kundër rritjes së energjisë elektrike”, tha ai.

Molliqaj tha në Kanal 10, se ZRRE deri me datë 29 prill pranon komente dhe protesta do të duhej të ishte sa më e madhe dhe t’i tregohet ZRRE-s që shqetësimet janë mjaft të mëdha.