​Mjeku i UÇK-së, Pal Lekaj pas deklaratave të Bislimit: Kurti paska ra dakord me Serbinë

Ish-mjeku i UÇK-së, tani deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj, ka reaguar pas deklaratave të zv.kryeministrit Bislimi, ku ky i fundit tha se është dakorduar t’ia dorëzojë “arkivat e UÇK-së”.

Lekaj në një shkrim në Facebook, tha se Kurti dhe profesorët e tij, duke aluduar në Besnik Bislimin, gjetën gjuhë të përbashkët me Serbinë jo për njohjen reciproke, e as për krimet e luftës, masakrat, drejtësinë për viktimat, por për UÇK-në.

Lekaj tha po ashtu se për Kurtin, UÇK është baraz me arkivat e ushtrisë dhe policisë serbe, vrastare dhe kriminale, është baras me vuajtjet e një populli që u shtyp, u persekutua, u vra dhe u dhunua nga Millosheviqi dhe ata që i shërbyen atij.

Postimi i plotë:

“Kurti paska ra dakord më në fund me Serbinë dhe me njerëzit e Vuçiqit.

Ky profesori i Kurtit paska premtu me i’a dorëzu arkivat e UÇK-së, Serbisë, me dorëzu luftën, vuajtjet, heronjtë, historinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Po ndodh ajo që pak kush, as vetë ata që brohorisnin dhe gjakoseshin për Vetëvendosje, nuk e kishin menduar. Kreu dhe “profesorët” e tyre, po ia japin Serbisë në pjatë të argjendtë atë që as Beogradi i Vuçiqit, nuk e kishte imagjinuar, UÇK-në, lirinë e Kosovës.

Kurti dhe profesorët e tij e gjetën gjuhën e përbashkët me Serbinë, jo për hekurudha, jo për rrugë, jo për lëvizje të lirë, jo për njohje nga Izraeli, jo për targat e makinave, jo për drejtësi, jo për krimet e luftës, tmerret, masakrat, përdhunimet e assesi për njohjen reciproke, jo! E gjetën gjuhën e përbashkët me Serbinë për UÇK-në, për “arkivat” e UÇK-së.

Për Kurtin dhe profesorët e tij, UÇK është baraz me arkivat e ushtrisë dhe policisë serbe, vrastare dhe kriminale, është baras me vuajtjet e një populli që u shtyp, u persekutua, u vra dhe u dhunua nga Millosheviqi dhe ata që i shërbyen atij.

Kurti dhe profesorët e tij po bëjnë marrëveshje me Serbinë, por jo për drejtësi, paqe, zhvillim ekonomik dhe njohje të reja, por për UÇK-në. Jo në Shtëpinë e Bardhë, po nëpër skuta në Bruksel.

Jo për të mbrojtur vlerat e luftës. Të asaj lufte që solli lirinë, por për ta shitur atë në Serbi, me lehtësinë e atyre që nuk e deshën asnjëherë Kosovën e pavarur, me lehtësinë e atyre që nuk vendosën asnjë gur në themelet e këtij shteti, me lehtësinë, ligësinë dhe tradhtinë e atyre që ia falën Beogradit atë mbi të cilin është themeluar shteti i pavarur i Kosovës, gjaku i Dëshmorëve, Heronjve, Martirëve.

Por Albini dhe profesorët e tij, nuk e njohin as luftën, as UÇK-në, ndryshe nuk do të bënin marrëzira të tilla.

Nuk ka arkiva të UÇK-së, Albin, as nuk ka pasur ndonjëherë. E di pse? Sepse ne nuk kishim kohë për arkiva, ishim në luftë. Në luftë me ata, të cilëve ti sot u premtove arkiva të UÇK-së, përmes profesorit tënd!

Turpi qoftë i yti Albin Kurti! I yti dhe i profesorëve tu! Historia ka gjithmonë vend edhe për heronj, edhe për skutha dhe njerëz të mbrapshtë si ju, që skutave shisni gjakun e Kosovës. Ia bëtë vetes vendin në histori më në fund, si bukëshkalë të këtij vendi. Mallkimi i historisë do të bjerë mbi ju!”.