​Meta: Tërmeti dëshmoi se solidariteti kombëtar është i fortë

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta gjatë vizitës së tij në qytetin e Gjilanit ka shprehur edhe njëherë falënderimin ndaj institucioneve të Kosovës për reagimin e shpejt në ndihmë të shtetit shqiptar pas tërmetit të 26 nëntorit.

Për këtë, Meta theksoi se garancia për kalimin e kësaj dhimbje të tërmetit është solidariteti mbarëkombëtar.

“Ky tërmet tundi fortë mijëra ndërtesa në Shqipëri, rrëzoi jo pak prej tyre. Por edhe testoi solidaritetin mbarëkombëtar, mbarë shqiptar i cili u tregua jashtëzakonisht i fortë dhe që është garancia për të tejkaluar sa më parë këtë dhimbje dhe gjitha pasojat”, tha presidenti Meta.

E nikoqiri i takimit, kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri tha se kujdesi i presidentit Meta për familjen Abazi që humbi dy djemtë gjatë tërmetit në Shqipëri tregon përkushtimin e tij për qytetin që ai udhëheq.

Teksa tha se gjithë këtë situatë që është krijuar do të përballojnë bashkë.

“Kujdesi i presidentit për familjen Abazi, për jetimët, për të gjallët, por edhe për vet qytetin tonë tregon përkushtimin. Falënderimi im është i jashtëzakonshëm si gjithmonë. Ne kemi 86 qytetarë nga Durrësi që janë vendosur në familjet gjilanase dhe po ashtu fëmija e tyre prej të hënës do të shkojnë në shkollë. Këtë situatë do ta përballojmë bashkë”, tha Haziri.

Gjatë vizitës së sotme në Gjilan, presidenti Meta ka qëndruar edhe tek familja Abazi ku iu garantoi mbështetjen e institucioneve të Shqipërisë.