​Meta: Të punojmë që të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri e Kosovë

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, po qëndron në Prishtinë për nder të 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Kreu i shtetit shqiptar ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës duke thënë se falënderimi dhe mirënjohja e përjetshme i takon SHBA-së, NATO-s dhe Presidentit Clinton.“Shumë i lumtur të takoja e përshëndesja përzemërsisht qytetarë të Prishtinës e mbarë Kosovës dhe të shkëmbeja me ta urimet më të ngrohta për 20-vjetorin e çlirimit”, deklaroi ai.

Po ashtu, Meta tha se Shqipëria dhe Kosova duhet të punojnë më shumë për t’i shndërruar dy shtetet shqiptare në vende ku të rinjtë duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre.“Ashtu siç me të drejtë theksoi sot Presidenti Bill Clinton është e domosdoshme të bëjmë të pamundurën, në Shqipëri dhe Kosovë, për t’u garantuar të rinjve realizimin e shpresave dhe ëndrrave, si dhe ndërtimin e së ardhmes së tyre në vendet tona”, tha Meta.