​Mercedes nis prodhimin e SUV-it elektrik (VIDEO/FOTO)

Mercedes-Benz filloi prodhimin e një SUV elektrik në Bremen dhe hapi mundësinë e porosive për blerjen e kësaj makine.

EQC 400 4MATIC ka një autonomi prej më shumë se 400 km dhe Mercedes pretendon se konsumi i saj mesatar është rreth 20 kWh për 100 km pa emetimin e gazrave të dëmshme, transmeton KosovaPress.

Ai mundësohet nga dy motorë asinkronë me 408 kuaj fuqi, dhe përshpejton nga 0 deri 100 km/h për 5.1 sekonda dhe shpejtësia maksimale kufizohet në 180 km/h.

Paketa e baterisë prej 80 kWh ka një dizajn modular dhe përbëhet nga 384 qeliza litium-jon, dhe ngarkimi i kapacitetit 10-80% merr 40 minuta nëpërmjet ngarkuesit të shpejtë. Çmimi fillestar në pajisjen bazike është 71.281 euro, ose 8.600 euro më lirë se Audi E-Tron. Daimler ka investuar një miliard euro në prodhimin e baterive në Drezden.