​Memli Krasniqi në Vushtrri: Ferit Idrizi do t’ia kthejë qytetit punët e mira dhe investimet

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Menli Krasniqi ka qëndruar sot në Vushtrri, për ta uruar kryetarin e zgjedhur, Ferit Idrizi, për fitoren e madhe të 14 nëntorit.

Krasniqi ka thënë se tani, koha është që qytetit dhe qytetarëve të Vushtrrisë t’u kthehen punët e mira dhe investimet.

“Këtë më së miri do ta bëjë Ferit Idrizi, një personalitet që nuk u ndalë asnjëherë së besuari në vlerat e Vushtrrisë dhe i cili jeton tash e sa dekada me hallet e përditshme të bashkëqytetarëve të tij.”, ka thënë Krasniqi.

“Falënderoj nga zemra të gjithë qytetarët e Vushtrrisë për besimin në Partinë Demokratike të Kosovës. Feriti do të jetë Kryetar i të gjithëve, pa dallim, për ta kthyer shpresën e qeverisjen e mirë në Vushtrri – çfarë e meritojnë qytetarët e saj.”, ka përfunduar ai.