​Mehmeti: Klientja ime ka tentuar të kthehet nga Siria por ka qenë e pamundur

Avokatja Fortesa Mehmeti, e cila mbron një prej grave të kthyera nga Siria, ka thënë se e mbrojtura ka qenë e mashtruar nga burri i saj, dhe si pasojë e rrethanave të luftës nuk ka mundur të kthehet nga atje, ani pse kishte vullnet për t’u kthyer.
Pas seancës dëgjimore, Mehmeti tha se ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak.

Mehmeti u tha gazetarëve se klientja e saj e ka mbajtur sot seancën e parë dëgjimore. Ajo bëri të dikur se ka kërkuar që ndaj saj të caktohet masë më e butë, e jo arrest shtëpiak.

“Klientja ime ka qenë prej vitit 2014 atje, ajo ka qenë si gjitha të tjerat, në një farë forme mendoj që ka qenë e mashtruar nga ana e bashkëshortit dhe ka shkuar atje, mirëpo rrethanat e luftës, presioni i vazhdueshëm nuk ka mundur të kthehet më, shyqyr Zotit tash gëzon lirinë, shohim tutje çfarë do të vendosin organet e rendit”, tha ajo.

Ajo tha se klientja e saj ka tentuar të kthehet edhe më herët, por ka qenë e pamundur. Ndërkohë tha se burri të dyshuarës mendohet të jetë i zhdukur, apo i vrarë. Mehmeti bëri të ditur se ka kërkuar që ndaj të mbrojturës të caktohet masa e paraqitjes në stacionin policor. Gratë, që ishin në pesën e 110 kosovarëve që shteti i Kosovës i ka kthyer në vend javën që shkoi, dyshohet të kenë kryer veprën penale pjesëmarrje dhe organizim në grupin terrorist./