​‘Maska kancerogjene në treg’, Kosova kthen mbrapshtë 50 mijë copë të blera në Kinë

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi ka folur lidhur me deklarimet e deputetit të PDK-së Bekim Haxhiu, se maskat që po përdoren në Kosovë për mbrojtje nga koronavirusi mund të jenë kancerogjene.

Ai në emisionin Frontal të T7 ka bërë të ditur se javën e kaluar janë kthyer mbrapa rreth 50 mijë maska nga Kina.

“Nuk janë të vërtetuara ato që ka thënë deputeti (Haxhiu). Ne kemi inspektuar para një jave sasinë e konfiskuar që dogana i ka ndalë rreth 50 mijë maska që kanë ardhur nga Kina, pasi nuk e kanë pasur testin e kryer i kemi kthyer mbrapa. Pasi është ngritur ky shqetësim nga deputeti, ne do të kemi kujdes pak më të shtuar te ky produkt”, ka thënë Veseli.

Haxhiu, në një emision televiziv mbrëmë ka thënë se maskat që përdoren në Kosovë kundër COVID-19, mund të jenë kancerogjene, pasi që ato kryesisht janë prodhim kinez dhe nuk kanë garanci.