​Luksemburgu ofron mbështetje për arsimin profesional në Kosovë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla bashkë me Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Likaj, zhvilluan sot një takim virtual pune me të Ngarkuarën me Punë të Dukatit të Madh të Luksemburgut në Kosovë, Natacha Gomes.

Sipas komunikatës ministrore ky takim u mbajt në kuadër të koordinimit ndër-institucional mbi marrëveshjet dypalëshe me Luksemburgun për investimin në arsimin profesional në Kosovë.

Kjo marrëveshje do të jetë ndihmesë shumë e madhe për zhvillimin e arsimit profesional, si një prej prioriteteve kryesore të institucioneve të Kosovës, që ka të bëjë me profilizimin e kuadrove të reja, që ta gjejnë veten aty ku kanë talent e shkathtësi.

Gjatë takimit Ministrja Haradinaj-Stublla shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Luksemburgut për shtet-ndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës.