​Limaj tregon nëse Nisma do të jetë pjesë e koalicionit me LDK-në e AAK-në

Kryetari i Nisma Socialdemokrate ka folur rreth mundësisë së pjesëmarrjes së partisë që ai drejton në qeveri.

Fatmir Limaj e ka lënë të hapur mundësinë e të qenit pjesë e formulës për qeverisje së bashku me LDK-në, AAK-në dhe komunitetet.

Ai në një emision për televizionin publik ka thënë se për momentin duhet të priten hapat e presidentit Thaçi rreth emrit të mandatarit.

Limaj thotë se Nisam si parti kërkon të respektohet verdikti i Kushtetutës që mandatari t’i kërkohet partisë së parë në zgjedhje – në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosje.

“Qëndrimi për të shkuar në zgjedhje ose jo, është qëndrim legjitim politik. Presidenti pas shkarkimit të qeverisë me 82 vota, ka ftuar partitë politike për të kuptuar vullnetin për të shkuar në zgjedhje apo gjetjen e një zgjidhje tjetër. Konsultimi është obligim, pasi zgjedhjet nuk mund të shpallen pa vullnetin e shumicës së deputetëve të Kosovës. Presidenti ka respektuar vendimin e Kushtetueses për t’ia ofruar mandatin LVV-së si parti fituese për emrin e mandatarit”, tha Limaj duke iu referuar letrës së tretë që sot presidenti Hashim Thaçi i ka dërguar Albin Kurtit për të dërguar emrin e mandatarit.

Ndërkohë që Lëvizja Vetëvendosje kërkon zgjedhje vetëm pas pandemisë me koronavirus, ish-partneri i saj i koalicionit qeverisës, LDK ka kërkuar nga këshilli i saj i përgjithshëm që të tregojë nëse është për opsionin e një qeverisjeje të ardhshme pjesë e së cilës do të ishin AAK, NISMA dhe komunitetet.

Ndërkohë që përgjigjja ka qenë pozitive nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, kryetari i Nisma pranon se si parti do ta japin angazhimin e vet për të shkuar drejt një qeverie të unitetit dhe për të vazhduar mandatin e saj.

“Nëse vjen deri te aty, ne do të japim kontributin tonë”, tha Limaj.