​Limaj: Dialogu me Serbinë, problemi më i madh i qeverisë së ardhshme

Kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj tha se deri më tani ka munguar vullneti politik, që të bëhet presion ndaj Serbisë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Sipas tij, Serbia ka të gjitha informacionet për personat e zhdukur, por që edhe pas 20 viteve ende nuk janë hapur arkivat e Sigurimit Shtetëror, Ushtarak e Policor, për çka tha se aty janë të gjitha të dhënat për këta persona.

Kreu i Nismës Socialdemokrate gjatë bashkëbisedimit të drejtpërdrejtë me qytetarë në platformën e KDI-së me temën “Marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi”, tha se problemi më i madh me të cilin do të ballafaqohet qeveria e ardhshme do të jetë dialogu me Serbinë.

Sipas Limajt, është në interes që të përmbyllet kapitulli me Serbinë. Ai tha se marrëveshja finale do të sjell zhvillimin ekonomik të vendit, derisa ka shtuar se aktualisht nuk ka në Kosovë investime direkte, duke u njohur si vend i pasigurtë.

Ai ka theksuar parakushtet për një marrëveshje finale me Serbinë.Krahas kësaj, Limaj tha se asgjë nuk duhet të diskutohet pa njohjen e Kosovës, madje shtoi se nuk duhet të bëhet as vijëzimi i kufijve.

Limaj mes tjerash ka shtuar se marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyll çdo konflikt, e jo të ketë marrëveshje me ‘plagë të hapura’, e që sipas tij, kjo varet nga kryeministri i ardhshëm.

loading…