​LDK i reagon Arta Ramës: Urimi i Qeverisë, i paprecedentë e i pazakontë

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka reaguar ndaj kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama e cila i dërgoi letër urimi kryeministrit Albin Kurti.

Në komunikatën për media LDK thotë se shprehë brengosje për afërsinë e paprecedentë të Gjykatës Kushtetuese me Qeverinë – përkatësisht pushtetin.

Pavarësia e Gjykatës Kushtetuese, sipas LDK-së, ka qenë vlerë e jashtëzakonshme e pjekurisë demokratike të institucionit që për vite ka ruajtur kredibilitetin e vet. Pushteti i Gjykatës është i ndarë dhe i pavarur nga ai i Qeverisë dhe si i tillë duhet të mbetet gjithherë.

“Tani çdo afrim, i Kryetares së Gjykatës, në emër të Gjykatës, qoftë edhe si urim, i paprecedentë e i pazakontë dhe mbi të gjitha anues, dëshmon për cenimin e kredibilitetit të institucionit në fjalë; në kohë kur paanshmëria është vlerë thelbësore e demokracisë”, thuhet në reagimin e LDK-së.