​Kurti uron policinë në 22-vjetorin e themelimit: Pa Policinë e Kosovës s’mund të ketë pavarësi e drejtësi

Kryeministri Albin Kurti ka uruar Policinë e Kosovës me rastin e 22-vjetorit të themelimit, duke thënë se Qeveria që ai drejton do të ofrojë mbështetje të pakursyer për të luftuar krimin dhe për ta bërë Kosovën një vend më të sigurt.

Kurti në një postim në Facebook ka shkruar se në 22-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, nderojmë punën e 9180 zyrtarëve policorë, gra dhe burra që i shërbejnë atdheut dhe përpjekjes së Kosovës për një Republikë demokratike e sovrane, ku mbretëron ligji.

Postimi i plotë:

Me rrënjët te lufta çlirimtare dhe te lëvizjet e rezistenca e popullit tonë për liri, Policia e Kosovës është një prej institucioneve shtetërore, pa të cilën nuk mund të ketë pavarësi e drejtësi.

Në 22-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, nderojmë punën e 9180 zyrtarëve policorë, gra dhe burra që i shërbejnë atdheut dhe përpjekjes së Kosovës për një Republikë demokratike e sovrane, ku mbretëron ligji.

Kujtojmë sot e përherë policët që me ndjenjën e lartë të detyrës e të patriotizmit ranë për një Kosovë të lirë e demokratike, shtet të së drejtës për të gjithë.

Qeveria do të ofrojë mbështetjen e pakursyer në misionin e përbashkët për të luftuar krimin dhe për ta bërë Kosovën një vend më të sigurt dhe më të mirë për të gjithë qytetarët e Republikës sonë.