​Kurti tregon kur rritet paga minimale

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një tryezë të përbashkët me përfaqësues të sindikatave në Kosovë. I pari i kësaj partie, njëherësh kandidati për kryeministër, Albin Kurti kërkoi fuqizimin e sindikatave, me qëllim mbrojtjen e drejtave të punëtorëve.

Ai sindikalistëve iu ka paraqitur disa nga vendimet e ardhshme të qeverisë së tij, siç është krijimi i Gjykatës së Punës, kontratën kolektive dhe rritjen inspektorëve të punës.

Lideri i VV-së theksoi se qysh në ditët e para në krye të ekzekutivit do të fillojnë dialogun social për të marrë vendimin për rritje të pagës minimale.

Kurti tregoi edhe disa nga veprimet që do të ndërmarrin si qeveri e ardhshme. Sipas tij, paga minimale do të përcaktohet mbi numrin e orëve dhe do të jetë në harmoni me kontratën kolektive dhe me ligjin e punës.

Përfaqësues të sindikatave që kishin ardhur në këtë tryezë, shprehën qëndrimet e tyre për fuqizimin e organizimit sindikal dhe problemet e tyre.

Nga sindikata e KEK-ut, Nexhat Lluminca kritikoi ligjin e ri për paga dhe kontratën për termocentralin Kosova A.

E kryetari i sindikatës së Telekomit, Lamih Balaj kërkoi fuqizim të sindikatës dhe bashkim për qëllime të mbrojtjes së punëtorëve.