​Kurti: Progresi në luftimin e krimit dhe korrupsionit, parakusht për shtet stabil

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, deklaroi sot se punësimi, drejtësia dhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë janë disa prej prioriteteve kyçe që ai do të ketë gjatë qeverisjes së vendit.

Kurti gjatë një takimi me ambasadoren e Kroacisë në Kosovë Daniela Barishiq, tha se progresi në këto fusha është parakusht për një shtet stabil dhe funksional.

Ambasadorja Barishiq ndërkaq uroi Kurtin për fitoren në zgjedhjet e 14 shkurtit dhe ritheksoi përkrahjen e shtetit kroat për Kosovën dhe rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në institucione ndërkombëtare.

Postimi i plotë i Lëvizjes Vetëvendosje në Facebook:

Sot, kryeministri në ardhje, Albin Kurti, bashkë me deputetin e legjislaturës së re, Xhelal Sveçla, deputetin e IRDK-së që njëherësh ka qenë edhe anëtarë i grupit ndërparlamentar për miqësi me Kroacinë, Elbert Krasniqi, dhe asistenten ekzekutive, Valë Gjonbalaj, priti në takim ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Daniela Barishiq, të shoqëruar nga sekretari i parë i kësaj ambasade, Mladen Delivuk.

Ambasadorja, Barishiq e uroi kryetarin Kurti për fitoren në këto zgjedhje dhe i dëshiroi sukses të mëtejmë në punën e tij drejt formimit të institucioneve të reja në vend. Ajo ritheksoi përkrahjen e shtetit kroat për Kosovën dhe rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në institucione ndërkombëtare. Kryeministri në ardhje, Albin Kurti, e falënderoi për urimin dhe ndau vlerësimin e lartë për marrëdhëniet politike e diplomatike midis dy shteteve tona duke potencuar se ato vetëm sa do të thellohen edhe më tutje me qeverinë e re. Ai po ashtu e njoftoi ambasadoren Barishiq me disa prej prioriteteve kyçe që i kanë dhënë Lëvizjes VETËVENDOSJE! mandat të fuqishëm në këto zgjedhje, e që janë punësimi, drejtësia dhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë. Progresi në këto fusha është parakusht për një shtet stabil dhe funksional, theksoi Kurti. Në fund, të dy ndanë bindjen që marrëdhëniet e mira bilaterale mes dy shteteve tona do të rriten e zgjerohen edhe më tej në të ardhmen.