​Kurti: Pesë vjet nga nënshkrimi që kushtoi 8.200 hektarë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka numëruar lëshimet e ish- komisionit Meha në marrëveshjen për demarkacionin, në pesë vjetorin e nënshkrimit të saj.

Ai në një postim në Facebook shkruan se raporti dhe puna e komisionit Shpejtim Bulliqi është aktakuzë për regjimin e vjetër dhe orientim për korrigjim porsa të rikthehet qeveria e mirë.

“Problemi i demarkacionit s’është kontest pronash private, por çështje e ndarjes së sovraniteteve. Andaj sot nuk shënojmë pesë vjetorin e shënjimit të vijës kufitare, por të caktimit të vijës së re kufitare, të ndryshimit të kufirit të Kosovës. Dhe, nuk mund të thirret askush në sipërfaqe komunash që mblidhen. Kufiri përcakton sipërfaqen e jo anasjelltas”, shkruan Kurti.

Postimi i plotë:

Një sipërfaqe e caktuar ka kufij të papërcaktuar sepse mund të ketë forma të ndryshme. Por, kufijtë e caktuar përkufizojnë edhe formë edhe sipërfaqe të caktuar.

Edhe marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi në Vjenë, njësoj sikurse ajo e ‘Zajednicës’ me Serbinë në Bruksel, u nënshkruan gjersa Kuvendi i Kosovës ndodhej në pushim.

Më 25 qershor të vitit 2015, patëm miratuar me shumicë votash Rezolutën e Kuvendit pas interpelancës për çështjen e Demarkacionit, pika 4 e së cilës thoshte: “Qeveria të raportojë në Kuvend para miratimit të elaboratit ndërkufitar Kosovë – Mali i Zi”.

Pra, kjo rezolutë ishte shkelur. Ish-qeveria kurrë s’erdhi në Kuvend para nënshkrimit në Vjenë më 26 gusht 2015. Zaten, integriteti territorial varet nga integriteti institucional.

Mbi dy vjet e gjysmë rezistencë opozitare e popullore e mbi 205 mijë nënshkrime të peticionit të qytetarëve, u rrënuan nga ratifikimi me 80 vota në Kuvend më 21 mars 2018.

E, në muajin që vjen, bëhen dy vjet e gjysmë të tjera prej kur u ratifikua demarkacioni në emër të liberalizimit të vizave e që s’duket askund as sot e kësaj dite.

Sipas profesorëve Florim Isufi dhe Shpejtim Bulliqi me atë demarkacion bëhet ndryshim i madh i kufirit sepse ai “Kah ana e Qafës së Çakorrit në distancë ajrore lëviz rreth 4.100 m në brendi të Kosovës, duke lënë jashtë territorit të Kosovës pellgun e Bjelluhës, Vaganicën dhe Shipovicën. Ndërsa kah ana e Kullës rreth 4.000 m në brendi të territorit të Kosovës duke lënë jashtë anët veriperëndimore të Zhlebit, të banet e Loqanit dhe një pjesë të të baneve të Gllogjanit.”

Komisioni shtetëror i Kosovës ka pasur të bëjë “shenjim të kufirit” (obeleženje), ndërkaq ai i Malit të Zi “përcaktim kufiri, kufizim” (“razgraničenje”). Kishim dy komisione me misione të ndryshme, me ç’rast komisioni ynë ka përfunduar në misionin e huaj. Murat Meha ka negociuar krejt gabim dhe fort keq.

E ka marrë barrën e provës që me kopje të librave kadastralë dhe vetëm me to ta dëshmojë që toka jonë është e jona edhe për pjesë të territorit ku as Mali i Zi nuk ka libra kadastralë.

Nuk ka qytetarë të Malit të Zi që kanë dokumente pronësie mbi atë tokë. Mbi të gjitha, kjo qasje bie ndesh edhe me konkludimin e Gjykatës së arbitrazhit ndërkombëtar.

Majat e maleve, pra kurrizi i vargmaleve, dhe kriteri i ujëndarjes përcakton kufirin, jo librat kadastralë të pronave private me të cilat ndahen kushërinjtë që s’arrijnë të merren vesh. Problemi i demarkacionit s’është kontest pronash private, por çështje e ndarjes së sovraniteteve.

Andaj sot nuk shënojmë pesë vjetorin e shënjimit të vijës kufitare, por të caktimit të vijës së re kufitare, të ndryshimit të kufirit të Kosovës. Dhe, nuk mund të thirret askush në sipërfaqe komunash që mblidhen. Kufiri përcakton sipërfaqen e jo anasjelltas.

Një sipërfaqe e caktuar ka kufij të papërcaktuar sepse mund të ketë forma të ndryshme. Por, kufijtë e caktuar përkufizojnë edhe formë edhe sipërfaqe të caktuar.

Në kuadrin e doktrinës dhe praktikës apo zakonit ndërkombëtar janë dy metoda që kanë gjetur zbatimin më të gjerë në çështje të përcaktimit të kufijve shtetëror. Këto janë: Kriteri natyror dhe Kriteri sipas parimit uti possidetis juris. Me marrëveshjen e nënshkruar që u imponua për ratifikim, u shkelën të dy këto parime.

1) Në faqe 24 të librit “Kufiri në dëm të shqiptarëve” të Zejnullah Grudës thuhet: “Kur shtetet ndahen me bjeshkë, kufi konsiderohet vija që bën kurrizin (qafën) e bjeshkës, ose vija ujëndarëse. Kur kufiri shkon vargmaleve ose kodrave, vija e demarkacionit ndjek vijën ujëndarëse (kurrizin). Këta kufij i kanë qëndruar kohës më shumë; e edhe në raste kur lumenjtë kanë qenë afër, evropianët kanë zgjedhur zakonisht vargmalet, dhe këto ndarje kufitare u kanë qëndruar shekujve.“ Ndërkaq, në faqe 29 e 30: “Kur vargmalet e bëjnë kufirin midis dy shteteve, supozohet, në rast dyshimi, se kufirin e bën qafa më e lartë dhe ujëndarja”.

2) Kriteri i dytë sipas parimit uti possidetis juris konsiston në përcaktimin e kufijve sipas ushtrimit të autoritetit administrativ, pra posedimit juridik mbi territorin. Ky është parimi i përgjithshëm në të drejtën ndërkombëtare publike i cili mbështetet në paprekshmërinë e kufijve në kuptim të administrimit të territorit. Komisioni Bulliqi ka evidentuar pa numër shembuj që dëshmojnë se ne kishim kontrollin efektiv në ato 8.200 hektarë.

Komisioni Bulliqi (e ku bënin pjesë Prof. Zejnullah Gruda, Prof. Martin Berishaj, Prof. Hamid Besholli, Prof. Florim Isufi, Prof. Riza Smaka dhe Avdi Gjonbalaj si këshilltar) ka konstatuar se ish-komisioni Meha ka bërë këto lëshime:

– ka zhvilluar biseda pa platformë, e cila do të miratohej nga Qeveria;
– është krijuar për demarkacionin dhe për mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, ndërsa ka biseduar me Komisionin e Malit të Zi për përcaktimin e kufijve;
– i ka shpërfillur autorizimet zyrtare;
– e ka tejkaluar dhe e ka cenuar mandatin zyrtar;
– ka fshehur nga Kuvendi dhe nga opinioni se me Malin e Zi po zhvillohen negociata për përcaktimin e kufirit të ri;
– është punuar pa përkthyes të autorizuar për nevoja të palës sonë; dhe,
– faktori ndërkombëtar dhe opinioni publik janë në vënë në lajthitje, gjoja se është lidhur marrëveshje për demarkacion të kufirit, e në esencë është lidhur marrëveshje për kufi të ri.

Raporti dhe puna e komisionit Bulliqi është aktakuzë për regjimin e vjetër (porsa të çlirohet prokuroria e shtetit) dhe orientim për korrigjim (porsa të rikthehet qeveria e mirë).