​Kurti jep tri arsye pse NATO intervenoi në Kosovë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka kujtuar 20 vjetorin e sulmeve të NATO-s në Kosovë.
Në një postim në Facebook Albin Kurti tregon arsyet pse NATO intervenoi në Kosovë.

Postimi i Kurtit në Facebook:

20 vjet u mbushën sot nga bombardimet e NATO-s mbi forcat serbe. E treta e vërteta: perëndimi ndërhyri ushtarakisht kundër Jugosllavisë së Tretë e cila ishte bërë tërësisht e Milosheviqit. Janë tri arsye kryesore pse NATO hyri në luftë para dy dekadash: 1. Sepse presidenti i Jugosllavisë , Slobodan Milosheviq, nuk pranoi ta nënshkruante dokumentin e Rambujesë (ndonëse ai ishte mjaft i favorshëm për Serbinë).

Kjo ishte në kontrast me marrëveshjen e Daytonit e cila e kishte fuqizuar Milosheviqin brenda (si pushtet) e jashtë (si personalitet). 2. Që Kosova të mos bëhej Bosnje. Me Srebrenicën në mendje dhe Reçakun para syve, nuk mund të lejohej përsëritja e gjenocidit në Evropë duke qëndruar duarkryq aleanca më e fuqishme në historinë e njerëzimit. Edhe kredibiliteti global i NATO-s dhe perëndimit ishin në pyetje. 3. Që Maqedonia të mos bëhej Kosovë. Vazhdimi i luftimeve midis UÇK-së dhe forcave serbe nuk do të mund të mbahej për shumë gjatë i lokalizuar në Kosovë. Shqiptarët ishin nën sulm mizor dhe përfshirja e Maqedonisë në luftë e bënte kalimin nga rreziku lokal në paparashikueshmëri rajonale (më së paku). Dita e parë dhe e fundit e këtij intervenimi 78 ditor ishin më të mirat. Sepse u godit Serbia dhe sepse u dorëzua ajo. Midis këtyre dy çasteve kemi mesatarisht nga 5 masakra në ditë kundër shqiptarëve anembanë Kosovës. Në këtë pranverë populli i Kosovës do të përkujtojë mijëra 20 vjetorë, të dhembjes e pikëllimit për humbjet e vuajtjet, të krenarisë e shpresës për vendosmërinë dhe ardhmërinë.