​Kurti i bindur se Kushtetuesja do ta vërtetojë si të drejtë Ligjin për Zyrtarët Publikë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka komentuar edhe dërgimin e ligjit për zyrtarët publikë nga opozita në Gjykatën Kushtetuese, duke thënë se Kushtetuesja do ta vërtetojë si ligj të drejtë dhe të mirë, ashtu siç kanë besuar ata në Qeveri dhe deputetët kur e kanë votuar.

Kurti në një interviste për KosovaPress, ka thënë se gjatë punës për projektligjin, çdoherë kanë pasur parasysh konkluzionet e aktgjykimit të mëhershëm të Kushtetueses.

“Ne e kemi pas parasysh aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për zyrtarët publikë dhe kur e kemi shkruar projektligjin për zyrtarët publikë, i kemi pas gjithmonë në mendje edhe konkluzionet e atij aktgjykimi. Tash opozita iu është drejtuar edhe një herë Gjykatës Kushtetuese, le të vërtetohet që ky ligj ishte i drejtë dhe i mirë, siç kemi besuar ne nga fillimi dhe ashtu siç kanë besuar deputetët e Kuvendit e Kuvendit kur e votuan atë, tha ai.

Ndryshe, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e kanë kundërshtuar miratimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë në Kuvendin e Kosovës. Këto dy parti opozitare pothuajse me argumente të njëjta evidentuan të metat e këtij ligji, i cili është kritikuar edhe nga Bashkimi Evropian.

Zyrtarët e PDK-së dhe LDK-së, të premten, ndaras dërguan këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese duke kërkuar anulimin e tij.