​Krasniqi: Mbështes nismën e Thaçit, është koha e fundit për unifikim të skenës politike

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, njëherësh ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka përshëndetur nismën e presidentit Hashim Thaçi për të nisur një dialog me partitë politikë për të arritur një konsensus para marrëveshjes finale me Serbinë.

Krasniqi në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se është momenti i fundit që partitë politike në Kosovë të artikulojnë një qëndrim unik sa i përket politikës së jashtme që ndërlidhet me marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë Krasniqi është skeptik për një gjë të tillë, pasi që ka thënë se një i njëjtë kishte filluar edhe gjatë Qeverisë Mustafa, por që kishte rezultuar pa sukses.

“Është momenti i fundit dhe mbase jemi të vonuar për të krijuar një politik apo qëndrim të përbashkët sa i përket raporteve të Kosovës me Serbinë. Përpjekjet e fundit janë bërë në kohën kur ishin në koalicion PDK-ja dhe LDK-ja. Janë mbajtur disa takime ndërmjet të gjitha subjekteve politike edhe të pozitës edhe të opozitës. por nuk mundem me ardh deri te një gjuhë e përbashkët dhe ndoshta faji kryesor atëherë ishte i qeverisë Mustafa, pra koalicionit PDK-LDK. Ne ishim pjesë e atyre bisedimeve dhe ishim për qëndrimin e përbashkët në raport të zgjidhjes së çështjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. ndoshta në një masë edhe VV-ja atëherë nuk kishte fort dakord për të formësuar një qëndrim të përbashkët”, ka thënë ai.

Ish-kryetari i Kuvendit në këtë intervistë për Kosovapress ka thënë se tashm ë situata është edhe më e ndërlikuar dhe se politika kosovare duhet të koordinohet dhe të bashkohet, pasi që Pakoja e Ahtisarit tashmë është hapur dhe duhet të vendoset rruga kah duhet shkuar.

“Tash jemi 3-4 vjet më pas dhe jemi në një situatë mjaftë të ndërlikuar dhe tani më askush nuk mund të thotë që Pakoja e Presidentit Ahtisari nuk është hapur dhe në një situatë të tillë partitë politike në Kosovë, sidomos koalicioni qeverisës me presidentin, por edhe me partitë tjera opozitare duhet të ulen jo me konferenca, por duhet të formojnë ekipet e bisedimit, të bisedojnë dhe të vijnë në një përfundim. A duan përfundimisht ta pranojnë hapjen e Pakos së Ahtisarit, e cila tani i ka pasojat e veta, apo duan të qëndrojnë në ato pozicione ose në atë ofertë që konsideroj që Kosova edhe me dokumentin e Ahtisarit edhe me Kushtetutën e saj e ka krijuar një pozicion të favorshëm për komunitetet pakicë në përgjithësi dhe komunitetin serb në veçanti”, ka thënë ai.

Krasniqi mendon se përgjegjësia kryesore për pozicionin e Kosovës në raport me marrëdhëniet ndërkombëtare i bie partive që janë në pushtet.

Ish-zëdhënësi i UÇK-së, ka thënë se Serbia qysh në kohën e Rambujes, negociatave në Vjenë, por edhe atyre në Bruksel, nuk kishte shprehur gatshmëri për t’i normalizuar marrëdhëniet me Kosovën.

“Nuk ishte e gatshme as në Rambuje, as në Vjenë, siç e pamë që nuk ishte e gatshme për t’i normalizuar marrëdhëniet me Kosovën as në bisedimet e Brukselit. Megjithatë p olitika në Kosovë pozitë dhe opozitë duhet t’i tregojnë edhe ShBA-së edhe BE-së, por edhe Serbisë se deri ku mund të shkon dhe si mund të normalizohen marrëdhëniet mes dy vendeve që në fakt është interes i qytetarëve edhe të Kosovës edhe të Serbisë që të normalizohen këto marrëdhënie. Edhe pse duke e pasur parasysh njerëzit që janë në politikën e Serbisë. agresivitetin qe Serbia e bën vazhdimisht ndaj Kosovës dhe ndaj statusit të saj, mendoj se nuk është lehtë të arrihet te një marrëveshje ose normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Por Kosova e ka për obligim që faktorin ndërkombëtar t’ia parashtrojë kërkesat e saj, Se sa Kosova ka bërë lëshime, por edhe duhet të ketë afatizimi për këtë normalizim të marrëdhënieve”, ka thënë ai.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate taksën e vendosur ndaj Serbisë thotë se e ka mbështetur si masë politike, e jo ekonomike.

Ai thotë se personalisht është kundër heqjes së taksës pa kushte, por thotë se mbështetë çfarëdo vendimi të partive politike nëse ato pajtohen për një vendim tjetër rreth kësaj teme.

“Taksën e kam mbështet dhe kurrë nuk e kam parë si një masë ekonomike, por gjithmonë e kam parë si një masë politike për t’iu përgjigjur agresivitetit të palës serbe. E tani jemi këtu ku jemi. Është e domosdoshme që koalicioni qeverisës, dhe jo vetëm ai, por gjithë politika në Kosovë duhet ta formësojnë një qëndrim se si t’i përgjigjen kërkesës së ShBA-së për heqjen e taksës. Unë personalisht nuk jam për me heq taksën pa kushtëzim. Ne mund ta heqim taksën por përsëri nuk vjen deri te normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse politika në Kosovë e formëson n jë qëndrim të saj të përbashkët për t’i dhënë një afatizim për heqjen e taksës por me afat në mënyrë që të fillon dialogu. Por para se të fillon dialogu politika në Kosovë duhet ta dijë deri ku të shkon. Andaj është i domosdoshëm një dialog, por jo konferencë, një dialog i brendshëm, jo për opinion”, ka thënë Krasniqi.