​KPM: Nuk procedojmë asnjë rregullore e cila cenon punën e mediave

Komisioni i Pavarur për Media ka raportuar para Komisionit Parlamentar për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media. Aty deputetët kërkuan sqarime nga KPM-ja për rregulloren që u ndalon medieve të marrin pjesë në seanca.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, pas përfundimit të mbledhjes tha para mediave se në këtë takim u diskutua rregullorja e cila ua ndalon mediave përcjelljen e seancave gjyqësore, raporton KosovaPress.

“Diskutuam një rregullore në të cilën është paraparë që media të mos marrin pjesë në gjykimet që do të mbahen. Njëri nga anëtarët tha që është keqkuptuar se nuk është ashtu siç është transmetuar në media dhe është kundërshtuar nga shoqëria civile nga AGK-ja që sigurisht ky ka qenë shqetësim jo vetëm i atyre por edhe i yni. Në pyetjet që unë i bëra thash që nëse nuk ka qenë kjo, pse e keni tërhequr dhe pezulluar një kod etik ku i ndalonte mediat që të marrin pjesë në gjykimet”, tha ai.

Por këtë breng të Ramadanit, mediave, pro edhe shoqërisë civile e hoqi nënkryetarja e Komisionit të Pavarur për Media, Violeta Hyseni-Kelmendi, e cila tha se kodi etik në të cilën ishte paraparë edhe kjo rregull është pezulluar duke marrë parasysh ankesat e shumta.

Ajo garantoi se KPM-ja nuk do të nxjerr asnjë rregullore që cenon punën e pavarur të mediave, përkundrazi sipas saj do të mundohet të lehtësojë punën mediale në vend.

“Siç e dini ky kod në momentin që ka dalë në ëeb-faqen tonë ne kemi marr reagime nga palët e ndryshme dhe nga media të ndryshme. Pas atyre shqetësimeve të cilat janë ngritur nga mediat e kemi diskutuar edhe njëherë dhe kemi vendosur ta pezullojmë një kod të tillë sepse nuk është në interes të KPM-së që të miratojë akte të cilat në fakt do ta pengonin punën e gazetarëve. Në asnjë moment nuk ka qenë qëllimi i KPM-së që të ndërmerr masa të tilla të cilat do ta pengonin punën e gazetarëve. Përkundrazi nga monitoruesit e KPM-së është menduar që kodi duhet të plotësohet me disa detaje të cilat më pas do ta bënin edhe më të lehtë mënyrën se si do të monitoroheshin mediat dhe se si eventualisht do të sanksionoheshin. Por duke qenë se është vlerësuar që ka gjuhë të tillë dhe kodi është interpretuar asisoj që mund të krijojë pengesa të mëtutjeshme në mënyrën se si raportojnë mediat, atëherë ka qenë vendim unanim i komisionit që ta pezullojë kodin dhe në asnjë mënyrë nuk do të procedojmë me asnjë rregullore e cila do të jetë në kundërshtim me mediat”, tha ajo.

Megjithëkëtë deputeti Ramadani tha se mbeten ende të shqetësuar për faktin që nuk dihet se nga kush është shtyrë kjo rregullore, andaj tha se kanë kërkuar nga KPM-ja llogari përse e kanë futur këtë nen në rregullore.

“Ne prapë jemi të shqetësuar dhe kemi kërkuar llogari se pse dhe nga kush është shtyrë që kjo rregullore të hynë në fuqi e që është shumë mirë që kjo rregullore nuk ka kaluar dhe është pezulluar. Unë edhe para Komisioni kërkova nga ta llogari që pse është fut ky nen në atë rregullore dhe në fund e kemi kërkuar atë rregullore që të na dërgojnë edhe me e-mail”, tha ai.

Në këtë mbledhje u diskutuar edhe për procesin eDigjitalizimit, sfidat dhe punën e KPM-së për vitin 2019.