​Kosova zhvillon stërvitjen e parë para sfidës me Gjeorgjinë

Kombëtarja e Kosovës në futboll iu është rikthyer përgatitjeve në prag të tri ndeshjeve të radhës në kuadër të kualifikimeve për botërorin “Katari 2022”.

Ndeshja e radhës është ajo kundër Gjeorgjisë në udhëtim më 2 shtator dhe “Dardanët” sonte kanë zhvilluar stërvitjen e parë në “Fadil Vokrri” nën urdhrat e Bernard Challandes.

I pranishëm në stërvitje ishte edhe Milot Rashica, i cili nuk mund të udhëtojë drejt Gjeorgjisë pasi kjo e fundit është në listën e vendeve të cilat Anglia i sheh si të rrezikshme për shkak të COVID dhe lojtarët që shkelin këtë vendim duhet të karantinohen dy javë pas rikthimit në Angli. Megjithatë, ai do të jetë i gatshëm për ndeshjet kundër Greqisë dhe Spanjës.

Para duelit me Gjeorgjinë, trajneri Challandes ka deklaruar se do të provojë të ndryshojë mentalitetin brenda kombëtares për t’iu rikthyer rezultateve pozitive.

Përveç sfidës me Gjeorgjinë, Kosova përballet edhe me Greqinë dhe Spanjën në “Fadil Vokrri”, më 5 dhe 8 shtator.