​Kosnett për shkëmbimin e territoreve: Nuk kemi qenë prapa kësaj ideje dhe nuk jemi as tash

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, idenë për shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, po e vlerëson si të kaluar. Ai pohon se SHBA-ja nuk është e interesuar për shkëmbim të territoreve, duke bërë të qartë se nuk qëndrojnë prapa kësaj ideje.

Në Rubikon të Klan Kosovës, Kosnett ka thënë se për këtë temë nuk ka nevojë të shpenzohet më energji, ndërsa ka shtuar se populli i Kosovës nuk ka aspak oreks për shkëmbin territoresh

“Sa i përket shkëmbimit të territorit, do të them që SHBA nuk janë të interesuara. Kjo çështje ngritët tërë kohën. Kur u ktheva në Kosovë para pak më shumë se dy viteve, kjo ishte temë e nxehtë dhe ajo që pata thënë ishte se SHBA-ja është e hapur për ide që populli i Kosovës dhe i Serbisë jo vetëm politikanë, por populli i konsideron të pranueshme, Mendoj se është e qartë se populli i Kosovës fare nuk ka oreks për shkëmbim të territorit. Prandaj, nuk mendoj se ka nevojë të shpenzojmë energji për këtë. E di se njerëzit ende janë të ndjeshëm ndaj kësaj çështjeje, por SHBA nuk inkurajojnë në mënyrë aktive shkëmbimin e territorit, nuk kemi qenë prapa kësaj ideje dhe nuk jemi as tash. Prandaj, mjaft me shkëmbimin e territorit”, ka thënë ai.

Kosnett foli edhe për Asociacionin e Komunave Serbe, duke thënë se Kosova, Serbia dhe BE-ja duhet të gjejnë një mirëkuptim përkitazi me këtë çështjeje.

“Sa i përket Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, mendoj se në të kaluarën është bërë shumë punë për ëktë. Mund të ketë interpretime të ndryshme si të ecët tutje. Mendoj se është e rëndësishme që Serbia dhe Kosova, me ndihmën e BE-së të arrijnë mirëkuptim si të vazhdohet për këtë. Mendoj se do të duhet diskutime shtesë për ta zgjidhur këtë çështje”, shtoi ai.