​Konkursi për rektorin e UP-së hapet të hënën

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka njoftuar se të hënën do të hapet konkursi për rektorin e këtij universiteti. Ndërkohë, thekson se Luljeta Plakolli-Kasumi, të cilën e kanë emëruar si ushtruese të detyrës së rektorit, nuk pretendon të marrë pjesë në konkursin për rektor.

Sipas një komunikate të UP-së, Plakolli-Kasumi ka marrë përsipër këtë detyrë që të ndihmojë mbarëvajtjen e punës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe të sigurojë ligjshmëri në konkurrencë gjatë procedurës së zgjedhjes së rektorit të UP-së.

“E njëjta, nuk pretendon të marrë pjesë në konkursin për rektor dhe pas përmbylljes së procesit do t’i kthehet angazhimeve të saj në Fakultetin Juridik. Konkursi do të hapet të hënën, me datë 24 tetor 2022, dhe shpresojmë të përfundojë me sukses sipas përcaktimit të saktë dhe të qartë të ligjit, Statutit në fuqi dhe parimit të meritës. Për informim të publikut, Plakolli-Kasumi, punon në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” që nga viti 2008. Ka përfunduar studimet e larta postdiplomike në Universitetin e Pittsburgh-ut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ka një bagazh hulumtues dhe ekspertizë në fushën e të drejtës komerciale.