​Komisioni Evropian prezanton projekt-kornizën e bisedimeve për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore

Komisionari evropian për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit Oliver Varhelyi njoftoi sot se Komisioni Evropian paraqiti një projekt-kornizë negociuese për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore në Këshillin e Çështjeve të Jashtme të BE-së.

Komisioni mori një ftesë në mars për ta paraqitur projektin në Këshillin e Punëve të Jashtme, kur u mor vendimi për hapjen e negociatave të pranimit, thuhet në njoftim.

Oliver Varhelyi vlerësoi se sot është një tjetër hap i rëndësishëm për rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore, pasi BE-ja ka përmbushur detyrimin e saj duke siguruar një kornizë konkrete për negociatat.

“Propozimet tona bazohen në metodologjinë e rishikuar të pranimit, e cila u prezantua në shkurt, me qëllim që procesi të bëhet më i besueshëm, dinamik dhe i parashikueshëm”, tha Varhelyi.

“Mezi pres diskutimin me shtetet anëtare mbi mundësinë e mbajtjes së konferencave të para ndërqeveritare me këto dy vende sa më shpejt të jetë e mundur. E ardhmja e tyre është e qartë në BE dhe kam besim se ato do të vazhdojnë të përmbushin reformën e tyre në rrugën evropiane, siç kanë bërë deri më tani”, ka shtuar ai.