​Kollçaku: Qeveria Hoti ka dështuar në raport me FSK-në

Kryetarja e Komisionit Funksional për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Fatmire Kollçaku në seancën e sotme ka adresuar kritika ndaj qeverisë Hoti për dështim në raport me Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohet për dërgimin e kontigjentit të Forcës së sigurisë së Kosovës jashtë vendit, Kollçaku tha se shkurtimet buxhetore që po i bëhen FSK-së nga qeveria e tanishme do të ndikojnë drejtpërdrejt në mosngritjen dhe mosavancimin e kapaciteteve të FSK-së.

Ajo kërkoi nga deputetët që të votojnë për dërgimin e kontigjentit të FSK-së jashtë vendit, teksa shtoi se pjesëtarët e kontingjentit në këtë mënyrë do të motivohen të jenë pjesë e rrjedhave dhe proceseve të ushtarëve të NATO-s.

“Shkurtimet buxhetore që po i bëhen sot FSK-së nga qeveria e tanishme do të ndikojnë drejtpërdrejt në mosngritjen dhe mosavancimin e kapaciteteve si dhe rekrutimit të ushtarëve të rinj deri tek blerjet e ndryshme të armatimit dhe sistemeve tjera mbrojtëse. Dështimet e kësaj qeverie në raport me FSK-në janë mospërkrahja me fonde, buxhet të pamjaftueshëm për FSK-në dhe për ngritjen e kapaciteteve operacionale sipas misioneve që ka, mosrealizimi i planit gjithëpërfshirës të tranzicionit, rekrutimin e ushtarëve sipas planit, mosrealizimin e planeve në trajtimin bilateral ndërmjet FSK-së dhe partnerëve dhe mungesë e një vizioni sesi do të duhej të dukej FSK-ja në të ardhmen, e shumë e shumë dështime të tjera. Vota për dërgim të pjesëtarëve të FSK-së në mision jashtë vendit është votë për t’i votuar ata pjesëtarë, në mënyrë për t’i motivuar ata pjesëtarë në mënyrë që edhe ata të jenë pjesë e rrjedhave dhe proceseve të ushtarëve të NATO-s”, tha ajo.

Ajo para deputetëve lexoi edhe rekomandimet e Komisionit Funksional për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, për çka kërkoi nga deputetët që të votojnë pro dërgimit të kontingjentit të Forcës së sigurisë së Kosovës jashtë vendit.