​Kodi Civil pritet të miratohet këtë vit, neni 1138 në fokus për ndryshim

Gjatë këtij viti pritet të miratohet Kodi Civil nga ekzekutivi e më pas nga legjislativi, me ndryshimet që janë duke u bërë nga ekspertët.

Ministria e Drejtësisë thotë se po punojnë që ky projekt-kod të jetë në frymën kushtetuese dhe të marrë mbështetjen e deputetëve në parlament. Ndryshimet janë duke u fokusuar në nenin 1138, i cili në shqyrtimet e para lejonte bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta.

Institucioni i Avokatit të Popullit po paralajmëron se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim, nëse nuk do të jetë në frymën kushtetuese.

Ndërkaq, IDK vlerëson se partia në pushtet duhet të punojë që të bind deputetët në miratimin e këtij ligji.

Këshilltari politik në Ministrinë e Drejtësisë, Flamur Pireva për KosovaPress, thotë se ekspertët janë duke e trajtuar projekt-Kodin Civil me fokus të veçantë nenin 1138.

“Tashmë ekspertët kanë filluar që të trajtojnë në plotëni projekt-Kodin Civil, i cili gjithsesi që do të kalojë për miratim edhe në qeveri, në komisionet e Kuvendit të Kosovës dhe më pastaj në Kuvend që të miratohet. Deri tani është gjithçka duke u punuar në atë drejtim që ky projekt-kod të jetë në tërësi në frymën kushtetuese, me një fokus të veçantë tek neni 1138, i cili po ashtu është duke u konsultuar që të jetë gjithçka në përputhshmëri me të drejtat dhe liritë e njeriut”, deklaron ai.

Ai shprehet i bindur se pas ndryshimeve do të marrë mbështetjen edhe të deputetëve të shumicës, që në lexim të parë e kishin kundërshtuar projekt-Kodin Civil.

“Pashmangshëm po punojmë në atë drejtim që të jetë në tërësi në frymën kushtetuese dhe gjithsesi po angazhohemi që kësaj radhe të miratohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës… …Sipas planifikimit të Ministrisë së Drejtësisë pritet që brenda këtij viti të miratohet edhe ky projekt-kod… është ende në fazën e përgatitjes dhe për atë se çfarë jam i sigurt është se brenda këtij viti do të miratohet edhe me analizën e re që është duke iu bërë këtij projekt-kodi”, shton Pireva.

Në anën tjetër, Avokati i Popullit Naim Qelaj thekson se ky është një dokument shumë i rëndësishëm që do i ndihmojë qytetarët në drejtësi. Ai flet për nenin ku përcaktohet bashkëjetesa civile, ku përsërit se nuk pajtohen me atë çfarë definohet.

“Problematika e këtij kodi civil është fokusuar kryesisht tek martesa mes personave me seks apo gjini të njëjtë. Ne kemi dhënë një qëndrim të qartë dhe vazhdojmë të mbesim prapa atij qëndrimi me i qartësuar përfundimisht që nëse Ligji, Kodi Civil nuk do të jetë në përputhje me frymën dhe me atë që është përcaktuar në dispozitat kushtetuese, ky ligj nuk mund si i tillë të merr formën e aktit të plot dhe të zbatueshëm ligjor. Nëse e njëjta frymë që është në Kushtetutë nuk bartet në ligj, do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese”, deklaron Qelaj.

Si i tillë, ai bën të ditur se Kodi Civil nuk është plotësisht në frymën kushtetuese.

“Jo plotësisht edhe pse provon të jap një zgjidhje, por zgjidhja nuk është ajo që ne e kemi propozuar. Unë edhe në komentet e dërguara në opinionin që kam nxjerrë dhe në debate me zyrtarët, kam qëndruar dhe kam qenë shumë konsistent në qëndrimin tim. Norma kushtetuese duhet të bartet në ligj e plot, ashtu siç është dhënë. E jo të lihet një zgjidhje e mëvonshme sepse ajo është vetëm një shtyrje e jo zgjidhje e problemit”, shton ai.

Edhe drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj thotë për KosovaPress, se hartimi i Kodit Civil është një ndër iniciativat më të mëdha të Republikës së Kosovës në sistemin e drejtësisë.

Ai kritikon partinë në pushtet që nuk ka arritur të miratojë në lexim të parë këtë ligj.

“Përderisa Kodi Civil fatkeqësisht është prolonguar dhe nuk është miratuar në Kuvendin e Kosovës për një dispozitë që ndërlidhet me një të drejtë kushtetuese, është për të ardhur keq që partia në pushtet nuk ka qenë gjendje të komunikojë, të bashkëbisedojë me deputetët e saj për t’iu kumtuar rëndësinë e këtij kodi. Përderisa një e drejtë është e garantuar me kushtetutë, në bazë të asaj që përcaktojnë ligjet, aktet normative do të duhej që e njëjta të sigurohet pastaj përmes një ligji përkatës. Në rastin konkret përmes Kodit Civil. Me vet faktin që Bashkimi Evropian, partnerët ndërkombëtarë kanë investuar me dhjetëra miliona euro në hartimin dhe kodifikimin e drejtësisë civile në Kosovë, do të duhej që kjo të përkthehej në vullnet politik”, thotë ai.

Në rast se sërish dështon në miratim Kodi Civil, Miftaraj thotë se kjo dëshmon se deputetët promovojnë diçka tjetër nga çka mendojnë.

“Unë besoj që partia në pushtet, secila parti politike e potencon rëndësinë që qytetarët e Kosovës të marrin shërbime në sistemin e drejtësisë. Kodi Civil nuk është as më pak e as më shumë se sa një lehtësim për qytetarët e Kosovës që të rregullojnë çështjet e tyre në fushat ndryshme që kanë karakter civil dhe të cilat do të bënin uniformitetin dhe lehtësimin e organeve gjyqësore në trajtimin e këtyre lëndëve. Nëse deputetët e Kosovës nuk e kuptojnë rëndësinë e këtij kodi do të ishte për keqardhje dhe do të dëshmonte se të njëjtit diçka tjetër promovojnë gjatë fushatave dhe diçka tjetër flasin nëpër studio televizive dhe diçka tjetër flasin kur i drejtohen qytetarëve përmes rrjeteve sociale dhe diçka tjetër vendosin kur janë në vendin kur duhet të vendosin dhe ngrisin dorën dhe të votojnë një Kod i cili rregullon jetën e qytetarëve”, shton Miftaraj.

Nga 1630 nene sa ka ky projekt-kod, diskutimi më i madh është bërë për atë që lejon “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta”. Por, kjo ishte konsideruar se nuk ofron barazi në të drejtën për martesë.

Projekt-Kodi Civil nuk arriti të miratohet në mars të këtij viti. Nga 120 deputetë, vetëm 77 prej tyre ishin të pranishëm, nga ta 29 votuan kundër, 28 për, 16 nuk votuan fare dhe katër abstenime.

Kështu u kthye në pikën zero për hartimin nga Ministria e Drejtësisë.