​KFOR-i turk interesohet për situatën me koronavirus në Gjilan

KFOR-i turk në Gjilan sot ka vizituar Qendrën Operative Emergjente ku është interesuar për menaxhimin që kjo komunë është duke bërë me të gjitha ekipet e saj ndër-institucionale për parandalimin e koronavirusit.

Në këtë takim KFOR-i është informuar për veprimet që Gjilani ka marrë nën kryesimin e kryetarit Lutfi Haziri me të gjitha institucionet relevante.

Fadil Kajtazi, NaserKorça e Deniza Limani, kanë potencuar angazhimin që është duke u bërë që nga intervenimet e shëndetësisë primare e deri në nivelin më të lartë të shëndetësisë në Spitalin Regjional dhe Qendrën Regjionale të Shëndetit Publik, duke qenë të mbështetur edhe nga Policia e Kosovës, FSK, inspektorët komunal dhe ekipi i gjerë nga Drejtoritë dhe ndërmarrjet regjionale e komunale.

Gjithashtu, është potencuar edhe angazhimi i kryetarit Haziri, që ka marrë për koordinim dhe bashkëveprim në nivel in regjional, që nga Hani i Elezit e deri në Kamenicë.

U tha, gjithashtu, se deri më tani gjendja është menaxhuar në bazë të ligjit, rekomandimeve të profesionistëve shëndetësor dhe vendimit të kryetarit Haziri, duke besuar se me mbështetjen qytetare e cila është në nivelin maksimal dhe të komunitetit të biznesit, kjo gjendje do të tejkalohet dhe gjithçka do të kthehet në normalitet.