​Kërcënonte me pistoletë për ta vrarë bashkëjetuesen e tij, arrestohet

Një 32 vjeçar me inicialet L. D. Është arrestuar në Durrës, pasi po e kërcënonte me pistoletë për ta vrarë bashkëjetuesen e tij.

Sipas Policisë në Shqipëri, reagimi i menjëhershëm i shërbimeve policore të Komisariatit të Policisë Durrës dhe “Shqiponjave” parandaloi vrasjen e shtetases K. B., banuese në Durrës.

I dyshuari ishte i dënuar më parë për vepra të ndryshme penale, i cili në momentin e arrestimit mbante me vete një armë të llojit pistoletë me krehër me 8 fishekë, me të cilën do të kryente krimin.

“Nga veprimet hetimore të kryera, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, i shtetasit A. K., 35 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Durrës, vëllai i autorit. Këtij shtetasi, nga kontrolli i banesës iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik kallashnikov dhe 23 fishekë. Gjithashtu, në bazë të hetimit të thelluar të rrethanave të kësaj ngjarjeje të ndodhur dhe lidhjeve shoqërore të autorit të ngjarjes, shërbimet e Policisë, bënë të mundur zbulimin e një banese të marrë me qira në qytetin e Tiranës, e cila përdorej nga i arrestuari, shtetasi L. D., dhe shtetasit M. L., banues në Durrës dhe E. H., banues në Thumanë Krujë, banesë në të cilën u gjetën dhe u sekuestruan në cilesinë provës materiale një armë zjarri automatik, me krehër dhe fishekë dhe një pistoletë me fishekë. Shtetasit M. L. dhe E. H., u shpallën në kërkim si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Armëmbajtja pa leje”, thuhet në njoftim.