​Jashari: Qeveria me buxhetin 2021 s’ka paraparë asnjë projekt të ri në Skenderaj

Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka thënë se Qeveria e Kosovës në buxhetin e vitit 2021 nuk ka paraparë pothuajse asnjë projekt të ri për komunën e Skenderajt, andaj ka kërkuar nga deputetët që nesër përmes amendamentimit t’i fusin në buxhetin e vitit 2021, projektet e kësaj komune, si në ujësjellës, kanalizim, rrugë, ndriçim, trotuare, arsim, kulturë, rini, sport, banim, shëndetësi e zhvillim ekonomik.

Jashari ka shkruar në Facebook se si kryetar i komunës së Skenderajt, disa herë gjatë këtij viti ka kërkuar nga ministritë dhe ministrat e Qeverisë së Kosovës që në buxhetin e vitit 2021 të parashihet përkrahja e projekteve të reja të komunës sonë.

“Fatkeqësisht Qeveria e Kosovës në buxhetin e vitit 2021 nuk ka paraparë pothuajse asnjë projekt të ri të komunës sonë. Andaj kërkoj nga deputetët që nesër përmes amendamentimit t’i fusin në buxhetin e vitit 2021 projektet e komunës sonë, si në ujësjellës, kanalizim, rrugë, ndriçim, trotuare, arsim, kulturë, rini, sport, banim, shëndetësi e zhvillim ekonomik. Projekte këto që ndikojnë drejtpërdrejtë në ngritjen e nivelit të mirëqenies sociale në komunën tonë, si komunë që më së shumti është shkatërruar nga lufta e fundit dhe ende nevojat janë jashtëzakonisht të mëdha. Këtë ia kemi borxh secilit qytetar që na ka dhënë besimin dhe që e përfaqësojmë në institucionet lokale e qendrore”, ka shkruar ai.