​Ismajli takon mësimdhënësit: Do ta fuqizojmë edhe më shumë sektorin e arsimit

Partia Demokratike e Kosovës po shprehet e bindur në fitore edhe për një mandat në komunën e Shtimes. Kandidati i cili ka udhëhequr për katër mandate me këtë komunë tha se gjatë kësaj kohe u kanë ofruar mundësi prodhuesve dhe është arritur cilësi në arsim. Ai gjatë pasdites së sotme është takuar me mësimdhënësit e Shtimes, ku ka premtuar edhe bursa për nxënës e studentë.

Kandidati për kryetar të Shtimes, Naim Ismajli ka thënë se 99 për qind e mësimdhënësve nga cikli i ulët deri më të lartë janë të kualifikuar. Ai tha se arsimi është i fuqishëm në komunën që po udhëheq që katër mandate.

“Ne i kemi dhënë institucioneve qendrore njerëz të artit, kulturës, të arsimit, politikës, të institucioneve më të larta. Ky është kualiteti sepse është produkt i arsimit. Njerëz nga Shtimja udhëheqin në Prishtinë. Komuna e Shtimes ka treguar nivelin e sakrificës edhe për pjesën e lirisë. Të gjitha këto nuk mund të demantohen nga njerëz te caktuar në fushatës, sepse faktet më të mëdha janë se gënjeshtrat e ditës”, u shpreh ai.

Ismajli shtoi se në Shtime mungojnë vetëm edhe dy shkolla, por që 80 për qind e tyre që janë ekzistuese janë të pajisura me kabinete.

Më tej, ai u zotua se komunën që ka udhëhequr ka pasur përfshirje të njëjtë të grave dhe burrave dhe se ka përkrahur prodhuesit.

“Komuna e Shtimes ka prodhuar dhe prodhon çdo vit ndërmarrës të fuqishëm, nga te cilët përfiton shoqëria. Bizneset tona janë të fuqishme përtej komunës së Shtimes… Ne jemi përpjek si institucione që të kenë mbështetjen tonë në infrastrukturë dhe mbështetjen tjetër se cilat janë potencialet. Ne deri sot qytetarëve tanë u kemi marrë 10 për qind të taksës në investimin e përgjithshëm. Nëse ne kemi marrë 400 mijë taksa në vit, investimet kanë ndodhë 4 milionë”, ka shtuar ai.

E, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku para mësimdhënësve në Shtime ka kërkuar përkrahje për Ismajlin, duke theksuar se çdo projekt madhor në 20 vjetët e fundit ka vulën e PDK-së.

Ajo u shpreh e bindur se kjo parti do të ketë rikthim në shumë komuna.

“Unë të dy prindërit i kam profesorë në universitet dhe dita më e lumtur e jetës sime pas shpalljen së pavarësisë ka qenë kur kam shkuar në shtëpi si ministre, kam pirë kafe me prindërit e mi edhe atë ditë si profesorë universiteti e kanë pasur rrogën më të madhe se unë. Falë vendimeve të guximshme që ka marrë PDK. Unë nuk kam ardh me ju bind me votua Naimin, se ju e njihni më mirë se unë. Unë kam ardh të ju tregu që unë krenohem me Naimin dhe me punën qe ka bërë në komunën e Shtimes. Është lehtë me shkëlqye në një komunë të madhe me shumë banorë, por shumë më problem dhe sfiduese me shkëlqye dhe me qenë kryetar në këtë komunë”, ka deklaruar ajo.

Në takimin me mësimdhënësit kanë qenë të pranishëm edhe anëtarët e kryesisë së PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, Fehmi Mujota dhe anëtarë të degës në Shtime. /Sh.Pajaziti