​Incidentet në futbollin kosovar, Munishi vjen me këshilla për lojtarët

Një incident i ndodhur sot gjatë ndeshjes ndërmjet Ballkanit dhe Llapit në kuadër të Superligës së Kosovës ku pati përleshje ndërmjet lojtarëve dhe stafit të të dy skuadrave, është bërë shkak për një reagim të trajnerit te Gjilanit, Ismet Munishi.

Ai përmes një statusi të lëshuar në profilin e tij në “Facebook”, ka bërë thirrje dhe ka dhënë këshilla për të gjithë lojtarët se si duhet të sillen në këto momente delikatë gjatë këtyre ndeshjeve të fundit në Superligën e Kosovës.

Munishi u ka bërë thirrje lojtarëve që t’i ruajnë nervat sepse në të ardhmen mund të jenë shokë skuadre. Ai po ashtu ka thënë se lojtarët nuk duhet të bien pre e mentalitetit të ulët në futbollin kosovar dhe të mos ndikohen nga niveli i ulët i sportivitetit në Kosovë, por të sillen si profesionistë.

Ndërsa, Munishi në shkrimin e tij ka këshilluar që 90 përqind e kryesive të klubeve të këshillohen te psikologu sepse, sipas tij, ata kanë nevojë ta bëjnë këtë.