​Ilir Meta dënon sulmin ndaj Armand Dukës, e quan akt terrorist

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta dënoi sonte sulmin ndaj kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) Armand Duka, duke kërkuar zbardhjen e plotë të rastit.

“Dënoj me forcë aktin terrorist në familjen e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka dhe u bëj thirrje të gjithë institucioneve ligjzbatuese të zbardhin me transparencë këtë ngjarje shumë të rëndë. Një akt i tillë kriminal, në vijim të dhunës verbale, shantazhit dhe presioneve publike, shton emergjencën për ndalimin sa më parë dhe nxjerrjen para drejtësisë të frymëzuesve dhe autorëve”, shkruan Meta në Facebook.

Kreu i FSHF-së Armand Duka, ka folur për mediat pasi një sasi lënde shpërthyese iu vendos sonte në derën e banesës së tij.

“Në banesë ishin djali dhe gruaja, unë sapo erdha. Nuk e di, uroj që të jetë rastësi. Fatmirësisht, nuk ka dëmtime në njerëz, porta është goxha larg nga banesa. Kamerat e hyrjes i kanë filmimet, duket një njeri me kapuç që afrohet te porta dhe vë dinamitin te mekanizmi që hap e mbyll portën”, tha ai.