​Ikja e mjekëve nga sistemi shëndetësor publik, alarm që kërkon reagim urgjent

Në vitin që sapo lamë pas, sistemi publik shëndetësor në vend mori goditjen më të madhe nga largimi i profesionistëve shëndetësor të cilët këtë vit krahas spitaleve të vendeve evropiane zgjodhën edhe spitalet private në Kosovë për të vazhduar së ushtruari profesionin e tyre.

E karshi këtij fenomeni shqetësues që ndikoi në ulje të shërbimeve, por edhe krijimin e listave të gjata të pritjes për operime kërkohet të reagohet me urgjencë nga ana e institucioneve përgjegjëse.

Vetëm në vitin 2022, 205 mjekë të rinj ikën jashtë Kosovës, derisa rreth 60 specialistë shëndetësorë e lanë Shërbimi Spitalor Klinik Universitar të Kosovës për të vazhduar të punojnë në spitalet privat në vend ku u ofruan paga shumë më të mira.

Veç më keq është situata për stafin infermieror, ku përgjatë vitit 2022 nga Kosova vendosën që të shkojnë drejt shteteve evropiane për të punuar mbi 630 infermierë.

Ndërsa, pagat e ulëta dhe kushtet jo të mira të punës vazhdojnë të jenë shkaktarët kryesorë të këtij fenomeni që po e rrezikon shëndetësinë kosovare publike.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu u shpreh se për 35% është rritur trendi i ikjes së trurit të mjekëve nga Kosova.

Sipas tij numri më i madh i mjekëve të larguar nga ShSKUK janë anesteziologët të pasuar më pastaj nga specialistët e pediatrisë.

“Ky vit ka qenë me numrin më të madh tek mjekët e rinj që janë larguar jashtë Kosovës është 205, vitin e kaluar kanë qenë 159, do të thotë për 30-35% është rritur ky numër. Kurse, tek mjekët të cilët janë larguar nga sektori publik sipas informatave zyrtare është 59 po ne mendojmë se janë mbi 59 rreth 60, dhe vitin e kaluar ne sa kemi informata janë diku 10-12 që e kanë lëshuar… Anesteziologjia është ajo me numrin më të madh të cilëve janë larguar, janë lëndët kirurgjikale, duke filluar nga gjinekologjia e lëndë të tjera si dhe sa kemi informata në pediatri janë 3-4 që janë larguar dhe ajo më e komplikuara është anesteziologjia për shkak se të gjitha lëmit kirurgjikale ndërlidhen me funksionimin e asaj klinike, në të vërtet me numrin e anesteziologëve, prandaj edhe ka reflektuar në zvogëlimin e punës në këto klinika, rritjen e listës së pritjes”, shprehet Sejdiu.

Kreu i OMK-së në Kosovë konsideron se me këtë trend të largimit të mjekëve sistemi shëndetësor publik po rrezikon që në 5 vitet e ardhshme të mbetet pa mjekë.

Pleurat Sejdiu e konsideron edhe më shqetësues largimin e specialistëve drejt sektorit privat në vend.

“Këtë vit përveç numri që është rritur është ndërruar edhe renditja e arsyeve… Deri më tani ka qenë kushtet e punës flas tek këta që janë larguar jashtë Kosovës në vendin e parë, pastaj kualiteti i specializimeve dhe në fund pagat. Kurse, në këtë vit e kemi një ndryshim në atë drejtim që del papunësia për shkak se ka shumë të papunë mjekë të rinj rreth 350, pastaj vjen pagat dhe në fund vijnë kushtet e punës. Kurse, sa i përket specialistët që largohen në sektorin publik janë kushtet e punës, presioni në punë dhe pagat… Nëse kështu vazhdon, ne kemi paraparë që brenda 5 viteve do ta kemi një krizë të madhe për mjekë, nëse largohen për 5 vitet e ardhshme 1 mijë mjekë dhe gjatë këtyre 5 viteve janë 700 që do të pensionohen dhe nuk e kemi idenë se sa do të largohen nga sektori privat sepse varet se sa do të investohet në publik atëherë mendoj që viti 2028 do jetë vit i krizës”, thekson kryetari i OMK-së.

Trendi i largimit të punonjësve shëndetësorë ka prekur edhe më shumë stafin infermier.

Kryetari i Odës së Infermierëve të Kosovës, Naser Rrustemi për KosovaPress thotë se pagat e ulëta dhe kushtet jo të mira të punës po vazhdojnë të ndikojnë që infermierët të mos jenë të gatshëm të shërbejnë në sistemin publik shëndetësor.

Rrustemi e konsideron si fakt brengosës largimin e infermierëve me përvojë pune.

“Këtë vit besoj diku është 80% më i madh, arsyet janë të ndryshme dhe kryesisht kemi infermierë që ndoshta edhe pse është hap konkursi, është pranuar në punë ai nuk dëshiron të vazhdojë punën mu për shkak të një page të dinjitetshme, qoftë për kushtet e punës apo edhe ndërrimet e natës. as nuk konkurron tash e tutje me ia bë edhe 1 mijë euro pagën për do të shkoj jashtë… Deri në këto momente kur po flasim është diku 633 vetëm këtë vit që i kemi ne të evidentuar se kjo shumë është shifër e saktë… Neve na ikin infermierët që ndoshta punojnë për 20 vite, 15 dhe këtu është problemi më i madh sepse ne kemi profile të caktuara qoftë infermierë që punojnë në Emergjencë, pastaj në Kujdesin Intensiv dhe këta nuk përgatiten brenda dy viteve, duhet të paktën 5 vite t’i keni përvojë pune dhe ta kenë këtë rast një trajnim”, theksoi ai.

Kreu i OIK-së kërkon nga institucionet e Kosovës të reagojnë me kohë për parandalimin e kësaj dukurie të ikjes së infermierëve, pasi sipas tij po rrezikohen shërbimet shëndetësore.

“Nuk mund të ofroj shërbime të mira në asnjë institucion përderisa nuk ka staf të mjaftueshëm për arsye të ndryshme qoftë buxheti apo zëvendësimet e ndryshme që nuk bëhen me kohë për arsye se ne kemi qe dy vite në disa klinika që kanë shkuar në pension dhe nuk janë zëvendësuar infermierët”, shprehet kryetari i OIK-së.

E nga \Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë konsiderojnë se me shkuarjen e profesionistëve mjekësorë po rrezikohet mirëqenia e pacientëve.

Kryetari i PRAK-ut, Besim Kodra thekson për KosovaPress se si pasojë e largimit të mjekëve e infermierëve përgjatë vitit 2022 është rritur lista e pritjes për pacientët, por është rritur edhe pasiguria e shërbimeve.

“Ikja e stafit është diçka shqetësuese për shkak se një sistem shëndetësor siç e kemi ne e devalvon edhe punëtorin shëndetësor edhe pacientit i jep më pak mundësi për të marr shërbime cilësor dhe të sigurt. Me ikjen e mjekëve do të zgjaten listat e pritjes, do të rritet pasiguria e njerëzve për të marr shërbime sepse kur nuk ka sasi të mjaftueshme edhe cilësia bie… Padyshim që ka me vuajtur (pacienti) sepse fillimisht i vonohet trajtimi, i rritet pasiguria, cilësia e shërbimit shëndetësor bie, nuk është çështje diskutimi a do të ndikojë, patjetër që do të ketë ndikim, se sa do të ketë i madh nuk mund ta di as unë dhe askush sepse bashkë me mjekë po ikin edhe qytetarët, qytetari dhe mjeku jonë po takohen bashkë në Gjermani”, thotë Kodra.

Lënia e sistemit publik shëndetësor nga ana e mjekëve dhe infermierëve po vlerësohet të shërbejë si kambanë alarmi për institucionet përgjegjësve, sipas Grupit për Ballkan.

Arjeta Dragusha nga Grupi për Ballkan deklaron se 37% më shumë mjekë janë larguar nga Kosova krahasuar me studentët që përfundojnë Fakultetin e Mjekësisë.

“Një ikje e tillë kaq e madhe e profesionistëve shëndetësor ndikon në kualitetin e shërbimeve të institucioneve shëndetësore sidomos publike. Duke marr parasysh edhe moshën kemi një përqindje shumë të lartë të moshës që brenda 10 viteve do të dalin në pension kjo duhet një alarm tjetër për institucionet është e rëndësi të thekson se janë 37% më shumë mjekë të larguar sesa studentë që kanë përfunduar fakultetin e Mjekësisë… Numrat si të tillë janë një kambanë alarmi për institucionet besoj shumë që institucionet veç janë të informuar me gjendjen dhe me largimin e punonjësve shëndetësor… Në mënyrë që të ketë impakt institucionet duhet me urgjencë të rrisin pagat e punonjësve shëndetësor më e rëndësishme se rritja e pagave për punonjësit shëndetësor është rritja e buxhetit në përgjithësi për shëndetësinë dhe krijimi i kushteve nëpër spitalet publike”, deklaron Dragusha.

KosovaPress ka tentuar të marr një përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë për veprimet që kanë ndërmarrë për të ndal “ikjen e trurit” nga spitalet publike të Kosovës, por që deri në ditën e publikimit të kësaj storie nuk ka marr ndonjë përgjigje.

Por, rikujtojmë që me qëllim të kthimit të trurit në Kosovë gjatë vitit 2022 Qeveria e Kosovës kishte marr vendim që mjekët nga mërgata të lirohen nga obligimi për pajisje me Leje Pune Afatshkurtër për të punuar në Kosovë, me kërkesë të institucioneve shëndetësore në Kosovë.

E fenomeni i largimit të profesionistëve shëndetësorë nga sistemi shëndetësor publik i Kosovës është paraqitur tash e disa vite, ku mjekët dhe infermierët destinacionin kryesor për të ushtruar profesionin e tyre e kishin Gjermanin./kp