​Hoxhaj: Sir, Yes Sir!

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj duke komentuar diplomimin e kadetëve të FSK-së, Iliriana Bunjaku dhe Ardit Deliu në Akademinë Ushtarake Mbretërore “Sandhurst” të Mbretërisë së Bashkuar, ka thënë se kjo është gjenerata e Republikës së Kosovës që na garanton se e ardhmja e jonë është në duart e sigurta.

Hoxhaj ka shkruar se nuk do të mund të përmbyllej më mirë ditën sesa me lajmin që erdhi sot nga Londra.

“Kadetët e FSK-së, Iliriana Bunjaku dhe Ardit Deliu kanë diplomuar në Akademinë Ushtarake Mbretërore “Sandhurst” të Mbretërisë së Bashkuar. Nëntogerja Iliriana Bunjaku, është shpallur kadetja më e mirë, së cilës i është ndarë shpërblimi i nderit për demonstrim të qëndrueshmërisë fizike, guxim dhe aftësi të vërteta lidershipi. “Shpata Ndërkombëtare”, si shpërblim i nderit iu nda nga gjenerali britanik Sir Nicholas Carter. Kjo është gjenerata e Republikës së Kosovës që na garanton se e ardhmja e jonë është në duart e sigurta. Krenarë”, ka shkruar ai.