​Hoxhaj mbledh strukturat në Rahovec e Suharekë, jep mesazhin për përkrahjen e fermerëve dhe vreshtarëve

Kandidati për kryeministër nga PDK, Enver Hoxhaj, ka mbledhur sot strukturat në Suharekë e në Rahovec, nga të cilat ka marrë mbështetje për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Hoxhaj, përmes postimeve në Facebook, ka thënë se PDK dhe ai si kryeministër i ardhshëm do t’i përkrahë secilin fermer përmes pakove ekonomike dhe do t’i japë përkrahje sektorit të vreshtarisë përmes subvencioneve dhe grandeve.

“Vazhdova takimet me strukturat e PDK-së në Rahovec. Bashkë me kryetarin Qazim Qeska, deputetët Elmi Reçica dhe Kujtim Gashi dhe anëtaren e kryesisë Luljeta Veselaj Gutaj, biseduam për platformën e PDK-së që do ta ngris ekonominë e vendit, në veçanti bujqësinë, për çka edhe njihet ky rajon. PDK do të përkrahë secilin fermer përmes pakove ekonomike që t’ua lehtësojmë qëdrueshmërinë në treg dhe t’ua sigurojmë shitjen e produkteve.”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook, për takimin me strukturat në Rahovec.

Shkrim më personal Hoxhaj i dha Suharekës, vendit të tij të lindjes, ku tha se sa herë që kthehet atje, ia jep ngrohtësinë dhe dashurinë e madhe.

“Shtëpia është vendi ku jeta, shpresa dhe ëndrrat tona fillojnë. Kjo është Suhareka për mua. Vendi i lindjes, ku sa herë që kthehem, më jep ngrohtësinë dhe dashurinë më të madhe. Edhe sonte, në takim me strukturat tona atje, energjia ishte e jashtëzakonshme e fjalët buronin nga zemra. “, ka shkruar Hoxhaj.

Ai, tutje tha e bashkë me kryetarin Ramë Vataj, deputetin Kujtim Gashi dhe anëtaren e kryesisë Luljeta Veselaj Gutaj, mes tjerash biseduan edhe për rëndësinë e përkrahjes së sektorit të vreshtarisë përmes subvencioneve dhe granteve, në mënyrë që suharekasit e njohur tashmë për kultivimin e rrushit dhe prodhimtarinë e verërave, ta zhvillojnë edhe më tej këtë sektor.