​Hoti: S’ka marrëveshje pa njohje nga Serbia

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj deklarimeve të presidentit serb Aleksandar Vuçiq lidhur me masakrën e Reçakut, duke thënë se Kosova nuk guxon të hyjë në aventura për marrëveshjen gjithëpërfshirëse me Serbinë derisa kjo e fundit të mos e njohë shtetin tonë të pavarur.

“Si mund të negociohet me dikë që e quan fabrikim masakrën e Reçakut?! Kështu ka deklaruar sot presidenti serb. Kjo është sikur të mohohet holokausti. Duhet të jemi unik dhe të kërkojmë reagim të fuqishëm nga e gjithë bota demokratike kundër këtyre deklarimeve të Beogradit. Është e qartë se do të na duhen vite dhe ndërrim të disa qeverive në Beograd para se atje politikanët t’i thërrasin ndërgjegjes për krimet e bëra në Kosovë nga shteti serb. Vetëm atëherë Serbia mund të bëjë hapin e madh për njohjen e shtetit të Kosovës dhe normalizim të marrëdhënieve. Deri atëherë ne nuk duhet të hyjmë në asnjë aventurë për të arritur ndonjë marrëveshje gjysmake”, shkruan Hoti në Facebook.