​Hoti: Me përfshirjen e rinisë në politikë adresohen kërkesat e tyre

​Kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, po merr pjesë në Forumin e Lidershipit të organizuar nga Komisioni i Kongresit Amerikan për Partneritet në Zhvillimin e Demokracisë.

Ky forum ka mbledhur në Uashington parlamentarë nga rreth 18 parlamente të botës, ku bashkë me kongresistë amerikanë po diskutojnë për avancimin e parimeve demokratike në botë.

Gjatë ditës së djeshme, Hoti ka qenë njëri nga folësit në panelin lidhur me përfshirjen e rinisë në jetën parlamentare dhe në politikë në përgjithësi.

“Përfshirja e rinisë në politikë, është kyçe për të siguruar se politika i adreson nevojat e tyre. Kjo përfshirje bëhet edhe më e rëndësishme në vendet si Kosova, ku popullsia është shumë e re dhe rreth 1/4 e popullsisë është në arsim. Në shumicën e vendeve, politika ka ndryshuar ngadalë karshi nevojave të të rinjve. Si rezultat, shumë të rinj vendosin të migrojnë dhe kjo është duke na kushtuar si shoqëri”, theksoi Hoti në fjalimin e tij.

Ai shtoi se Kuvendi i Kosovës ka themeluar Grupin e Deputetëve të Rinj me deputetë nga të gjitha grupet parlamentare, që kryesohet nga deputeti Rekaliu, nga radhët e LDK.

Hoti u shpreh se me gjithë vështirësitë, ky grup i deputetëve kanë përgatitur një plan pune, i cili është diskutuar me rininë dhe me OJQ, është aktiv në takime me të rinj, si dhe ka propozuar një rezolutë e cila i kërkon ekzekutivit të merret me disa çështje specifike për të adresuar nevojat e të rinjve në arsim, punësim, biznes etj.

Sidoqoftë, shtoi Hoti, në vendet si Kosova, sfidat e rinisë janë në fakt sfida të gjithë shoqërisë.

loading…