​Haradinaj: Vëllai im Enveri është vra për me nxit vëllavrasjen

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se kushdo që është kundër taksës, ose është duke e mbrojtur direkt interesin e Serisë, ose është duke e hëngër paranë e Serisë.

Në një intervistë në RTV 21, Haradinaj ka theksuar se shumica e udhëheqësve politikë janë mashtrues, pasi flasin vetëm për opinion dhe nuk janë të interesuar me i mbajt premtimet.

“Edhe unë jam pjesë e tavolinës. Albini thotë diçka, Isa thotë diçka, Thaçi thotë diçka tjetër. Nuk ka faj KQZ as PZAP-i, nëse ne nuk veprojmë. Krejt arsyeja se pse nuk ka ndodhur reforma zgjedhore, është se ne e këqyrim interesin tonë. Ndërsa pastaj shkojmë i rrejmë popullin. Por institucionet duhet të veprojnë sipas ligjeve. Shumë zyrtarë ndërkombëtar na kanë këshilluar që të bëjmë reformë zgjedhore”, tha ai.

Për qeverisjen në ardhje, Haradinaj  ka shtuar se është skeptik që kanë me mundur me i realizuar ato që i kanë premtuar, si në arsim, polici, në luftën kundër korrupsionit.

Ai tha se VV ka qenë në pozitë në Prishtinë, Prizren, ku shihet metodologjia e punës së tyre që nuk është diçka mu veçuar, ndërsa pohoi se në Suharekë është një qeverisje shumë më e mirë se në Prizren.

Ai ka mohuar së e janë në bisedime me LVV-në për të hyrë në koalicion, duke pohuar se nuk janë të vërteta fjalët se AAK ka kërkuar dy ministri për të hyrë në qeveri. “Jo ne nuk jemi me ia mbyll gropat e tjerëve. Ndoshta na keni ngatërruar me dikë tjetër”, tha ai.

Ai tha se nuk do të bëjnë opozitë, vetëm sa me ia vështirësuar qeverisjen tjerëve, por do të punojnë dhe do ta përkrahin qeverinë aty ku punohet në interes të vendit, ndërsa do të kundërshtojnë fuqishëm aty ku dëmtohet interesi i vendit.

Haradinaj tha se me taksën i është shkaktuar dëm shumë i madh Serbisë, pasi siç tha 1 miliardë e 300 milionë euro është dëmi që ka pësuar Serbia, pasi kaq ishte vlera e mallrave që janë ble nga Kosova në Serbi brenda një viti.

“Kush do që është duke e sulmuar taksën, ja është duke e mbrojtur interesin e Serbisë, ja është duke e hëngër parën e Serbisë… Kushdo që është duke u mundur me hjekë taksën, ose është duke e hëngër bukën e Kralit ose e ka hëngër bukën e Kralit”, tha Haradinaj.

Haradinaj e ka akuzuar një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare, se janë të interesuar që me dobësuar krahun e luftës dhe me trazuar shtetin e Kosovës.

“Vëllai im Enveri është vra vetëm për me nxit vëllavrasjen.  Kanë dashur me nxit një spirale të vrasjeve, sepse e kanë pa që ne nuk po e duam këtë dhe nuk po shkojmë drejtë vëllavrasjeve”, tha ai Haradinaj.