​Haradinaj-Stublla: Marrëveshja me Serbinë të bëhet në koordinim të plotë me SHBA

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Meliza Haradinaj-Stublla ka pritur sot në një takim njoftues shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian, njëherësh përfaqësuesin special të BE-së në Kosovë, Tomsh Szunyog.

Ministrja Haradinaj me këtë rast ka shprehur vendosmërinë e Kosovës për marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, por gjithmonë në koordinim të plotë me SHBA-në.

“Shpreha vendosmërinë e Kosovës për një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, ligjërisht të detyrueshme, e cila sjellë njohjen reciproke mes dy vendeve, në koordinim të plotë me SHBA dhe me ndihmën e BE-së”, ka thënë ajo.

Haradinaj-Stublla ka theksuar se Kosova pret nga Bashkimi Evropian që të lehtësojë përafrimin e njohjes nga pesë vendet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

“Tash pas marrëveshjes së Uashingtonit për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe njohjes nga Izraeli, presim që edhe Bashkimi Evropian të lehtësojë përafrimin njohjes nga pesë vendet anëtare të BE që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Po ashtu, presim veprim strategjik për obligimet e mbetura kontraktuale në të drejtën e fituar të Kosovës për lëvizje të lirë pa viza”, është shprehur ajo.