​Haradinaj: Marrëdhëniet me Nismën nuk e rrezikojnë këtë Qeveri

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pranuar se ka diskutuar në biseda telefonike me dy komikët rusë që i kanë telefonuar liderëve të rajonit, duke paraqitur në emër të ish presidentit të Ukrainës, Petro Poroshenko, por theksoi se diskutimi i tyre nuk ka pas diçka të veçantë dhe vetëm ka kërkuar njohjen.

Për ish presidentin ukrainas, i pari i qeverisë tha se ka komunikuar në linja të sigurta, së paku dy herë.

Pas mbledhjes së kabinetit Qeveritar, Haradinaj foli dhe për mundësitë e rrëzimit të Qeverisë për shkak të pakënaqësive të partnerëve të koalicionit, ku tha se marrëdhëniet mes tyre janë stabile dhe nuk e rrezikojnë qeverisjen e tij.Haradinaj gjithashtu ka komentuar video incizimin e dy ditë më parë ku shprehen shqetësime nga ana e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev për ndryshim të kufijve në rajon, ai tha se ato diskutime janë shqetësuese, por nuk janë risi pasi kanë qenë në dijeni për këto qëndrime.

Për përmbylljen e dialogun me Serbinë, i pari i Qeverisë, përsëriti se zgjidhja e vetme është njohja e ndërsjelltë me kufijtë ekzistues. Sipas tij ka tendenca që me ftuar Kosovën vetëm në proces, dhe jo për qëllimin final që është njohja.

Në lidhje me polemikat e zyrtarëve të AAK-së me Nismën Socialdemokrate, Haradinaj tha se marrëdhëniet e partneritetit me Nismën nuk e rrezikojnë Qeverinë që ai e drejton.

Sa i përket vizave, kreu i ekzekutivit tha se ende ka skeptizicëm nga vendet anëtarë të BE-së, por është premtuese dhe shpresëdhënëse nga ana e Gjermanisë për liberalizim të vizave për kosovarët.
Haradinaj gjithashtu tha se do të kërkoi që të largohen kartoni i gjelbër për diasporë, ndërkaq theksoi se shumë shpejt pritet të emërohet edhe ministri i Inovacionit.