​Haradinaj: Kryeministri i shkarkuar vazhdon me shkarkime, kjo është fytyra e vërtetë e kësaj qeverie

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar pas shkarkimit të bordit të ShSKUK-së nga qeveria në detyrë.

Haradinaj ka thënë se epidemia po politizohet nga qeveria aktuale mbi supet e shëndet të popullit.

Ai ka përmendur se në bord është bërë një emërim politik, pasi u vendos për këshilltarin politik të ministrit dhe kandidatin për deputet, Mirsad Shkretën.

Lexoni postimin e plotë të Haradinajt:

Kryeministri i shkarkuar vazhdon me shkarkime. Qeveria në ikje sot në kohë epidemie gjatë kohës kur qanë e çirret se të tjerët po sulmojnë padrejtësisht, merr vendimin më të rrezikshëm menaxhues duke vënë në rrezik tërë popullin. Sot kjo Qeveri e mashtrimit shkarkon bordin kinse politik të ShSKUK-së për ta zëvendësuar me këshilltarin POLITIK të Ministrit, kandidatin për deputet të Vetëvendosjes, Mirsad Shkretën. Epidemia po politizohet nga kjo Qeveri mbi supet e shëndetit të popullit. Kryeministri i shkarkuar me mbi 2/3 të Kuvendit, vazhdon me shkarkime. Ja fytyra e vërtetë e kësaj Qeverie, e cila parim të vetëm ka mashtrimin. Kjo është shkapje për kapje! RH .