​Haradinaj: Batalioni gardist ka mbrojtur nderin e luftëtarëve shqiptarë

Me rastin e përvjetorit të rënies së 16 dëshmorëve të Batalionit Gardist “Shkëlzen Haradinaj”, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i shoqëruar nga shumë bashkëluftëtar e familje të të rënëve ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan dhe në fshatin Kodrali.

Ai me këtë rast tha se rënia e këtyre dëshmorëve është ndër ngjarjet më të dhimbshme dhe më krenare të popullit shqiptar. Sipas tij këta të rënë kanë pasur mision të veçantë e fisnik në luftën e Kosovës të cilit i kanë mbrojtur luftëtarët e plagosur.

“Sot është një ditë vërtetë e veçantë, pra jo që kujtojmë një numër të madh të luftëtarëve të vrarë por edhe misioni i tyre ka qenë i veçantë bartja e të plagosurve, bartja e bashkëluftëtarëve një mision më i vështirë i mundshëm edhe më fisnik. Batalioni gardist i prirë nga gjeneral Avdyl Mushkolaj me këtë mision e kanë mbrojtur nderin e luftëtarit shqiptar”, tha Haradinaj.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shkumbin Demaliaj tha se 16 dëshmorë ranë duke shpëtuar bashkëluftëtarët e tyre të plagosur.

“Sot 20 vite në misionin e tyre të shenjtë për shpëtimin e bashkëluftëtarëve të tyre të plagosur bien pikërisht 16 dëshmorë, andaj në këtë jubile dy dekada më parë, sot 20 vite nderojmë me pietet gjithë këta gardistët të batalionit‘Shkelzen Haradinaj’”, tha Demaliaj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë homazhe dhe ka vendosur kurora lulesh tek varrezat e dëshmorëve të familjes Ferizaj dhe dëshmorët Valiant Ferizi, dhe Nimon Musaj