​Gruaja që akuzoi deputetin për përdhunim vdes duke u vetë-djegur

Një 24-vjeçare indiane i ka vënë zjarrin vetes javës që shkoi pas një fushate presioni e kërcënimesh nga policia e gjyqësori i vendit, për të hequr dorë nga akuzat e përdhunimit nga një deputet i parlamentit. Ngjarja ka sjellë sërish në vëmendje trajtimin e turpshëm të grave në vend.

Vajza dhe një mik i saj mashkull transmetuan një video direkte në rrjetin Facebook më 16 gusht, para se ata të hidhnin benzinë në veten e tyre dhe të ndizeshin në flakë. Ata ishin dërguar më pas në spital me djegie të rënda. Burri vdiq të shtunën që shkoi, kurse vajza humbi jetën nga plagët mbrëmjen e djeshme.

Të dy kishin udhëtuar nga shteti verior indian Uttar Pradesh drejt kryeqytetit Delhi. Akti i tyre i dëshpëruar para gjykatës së lartë të Indisë, tronditi vendin dhe tërhoqi vëmendje për çështjen e neglizhuar.

Më herët vajza kishte akuzuar Atul Rai, deputetin e partisë Bahujan Samaj (BSP), se e kishte përdhunuar në shtëpinë e tij në Varanasi dhe kishte denoncuar ankimimin në polici prej vitit 2019.

Rai, i cili i mohon akuzat, u arrestua një muaj më vonë dhe ka qenë në burg dy vitet e fundit.

Por në nëntor, vëllai i të akuzuarit paditi vajzën për mashtrim dhe në fillim të këtij muaji gjykata lëshoi një urdhër arresti ndaj saj.

Në videon e regjistruar direkt në Facebook, e reja akuzon deputetin se po përdor influencën e tij për ta ngacmuar e persekutuar.

Ajo dhe miku i saj kishin kontaktuar me policinë e madje dhe me një gjykatës, duke i akuzuar se po bashkëpunonin me Rai.

“Ne kemi arritur në destinacionin ku ata dëshironin të na çonin. Përpjekjet e tyre të dy viteve të fundit na çuan në këtë pikë,” thotë vajza në video.

“Prej nëntorit 2020 autoritetet na kanë shtyrë drejt vdekjes. Ne dëshirojmë që ju, qytetarët e Uttar Pradesh dhe i gjithë vendi ta dëgjonit këtë,” thotë miku i saj.

“Hapi që do të marrin është i frikshëm e i dhimbshëm. Jemi pak të trembur por frika nuk është asgjë,” shtoi ai, disa minuta para se ata të vetëdigjen.

Autoritetet thanë se kanë pezulluar dy oficerë policie gjatë hetimeve për incidentin.

Shikimi i videos është i vështirë, në disa raste zëri i vajzës dridhet dhe fryma i merret nga dëshpërimi.

Përdhunimi e krimet seksuale kanë qenë në qendër të vëmendjes në Indi prej dhjetorit 2012 kur një vajzë 23-vjeçare u përdhunua nga gjashtë burra në një autobus në kryeqytetin Delhi. Ajo vdiq disa ditë më vonë nga plagët.

Në vitin 2018, policia regjistroi 33.977 përdhunime në Indi, që do të thotë një përdhunim në rreth çdo 15 minuta, pa llogaritur që numri më i madh i tyre nuk raportohet prej stigmës e diskriminimit.

Në vitin 2018, një tjetër grua tentoi të vetëdigjej pas përdhunimit nga Kuldeep Sengar, deputet i partisë në pushtet Bharatiya Janata./tch