​Gjilan, 14 persona në vetizolim pa simptoma

Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka bërë të ditur se lista e kontaktit nga personi i mbrëmshëm me COVID-19, ka rezultuar negative, ndërsa nga 21 rastet për ritestim tashmë shtatë janë negative.

“Nesër pritet ritestimi për shërimin e tyre të plotë, ndërsa 14 persona vazhdojnë të mbesin në vetizolim pa simptoma”, ka shkruar Haziri në Facebook.

Ai u ka bërë serish thirrje qytetarëve që të vazhdojnë me zbatimin e rekomandimeve shëndetësore për bartjen e maskave dhe mbajtjen e distancës sociale, si pjesë e masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Ndryshe, sot në nivel vendi janë konfirmuar 29 raste të reja me COVID-19 dhe 22 të shëruar.