​Gjatë mesnatës priten të mbërrijnë dy avionë të tjerë me emigrantë afganë në Shqipëri

Pas ardhjes së kontingjentit të parë më 121 afganë, mesnatën e sotme priten të mbërrijnë edhe dy fluturime të reja në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë.

Avioni i parë nga Kabuli pritet të mbërrijë pak para mesnatës dhe menjëherë pas tij edhe avioni i dytë.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, e cila është në krye të Task-Forcës së ngritur nga qeveria do t’i presë emigrantët afganë, të cilët u detyruan të iknin nga vendi i tyre pasi talebanët morën kontrollin e Kabulit.

Afganët e parë u strehuan në struktura hoteliere në Golem të Durrësit. Ata u vizituan pasditen e sotme aga kryeministri i vendit, Edi Rama. Ai deklaroi ditë më parë në një intervistë për CNN se Shqipëria do të strehojë rreth 4000 afganë.

Krahas Shqipërisë, Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë dy shtete të tjera në Ballkanin Perendimor që kanë treguar gatishmëri për të strehuar qytetarë afganë.