​Gjakovë, vazhdon rregullimi i rrugëve në Çarshinë e Madhe

Në Gjakovë sot ka filluar faza e dytë e projektit për sanimin e rrugëve me kubëza në zonën e Çarshisë së Madhe.

I lumtur me vazhdimin e këtij projekti është shprehur kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, i cili ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve.

“Jam shumë i lumtur për vazhdimin e këtij projekti. Kërkoj mirëkuptimin e banorëve, për shkak se këto punime do të na vështirësojnë qarkullimin në këtë pjesë të qytetit për një kohë të shkurtër, mirëpo cilësia e lartë e tyre na siguron që të mos intervenojmë më në rrugët me kubëza në pjesën e vjetër të qytetit” u shpreh ndër të tjera kryetari i kësaj komune, Ardian Gjini.

Ai ka falënderuar Demos-in dhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal pasi që ky projekt bashkëfinancohet edhe nga granti për performancë të suksesshme të Komunës së Gjakovës të shpallur nga MAPL-ja.

Ky projekt përfshin edhe ndërrimin e gypave të azbestit dhe zhvendosjen e kabllove elektrike në rrjetin nëntokësor.