​Fshati i cili e njeh më së miri migrimin!

Pas valës së migrimit katër vjet më parë, në Kosovë vazhdon ikja e qytetarëve në vendet e evropiane, ani pse jo në atë shkallë. Qytetarët thonë se po përballën me mungesë të perspektivës, në veçanti me vende pune, dhe po kërkojnë një jetë më të mirë jashtë shtetit të Kosovës, kryesisht me viza pune të përkohshme.

Kur flasim për fshatin Karaçevë të Kamenicës, përveç problemeve në brezin kufitar, menjëherë mendohet për një vend ku migrimi nuk ndalet pothuajse asnjëherë.

Një numër i madh i njerëzve gjenden në mërgatë tash e shumë kohë, ndërkohë që pjesa e mbetur vazhdimisht ka lëvizur nga këtu, duke migruar.

Banorët thonë se jetojnë në kushte të rënda socio-ekonomike, pasi janë anashkaluar në tërësi nga institucionet e Kosovës.

Mungesa e vendeve të punës dhe qasja e vështirë në shërbime publike, shëndetësi e të tjera, e bënë më të vështirë jetesën në këtë brez kufitar.

KosovaPress ka intervistuar një banor të Karaçevës, djemtë e të cilit po e mendojnë ikjen nga ky vend, meqë thonë se e kanë të vështirë të mbijetojnë këtu.

Sabri Fera thotë se nuk do të dalin më as për të votuar në kohë zgjedhjesh.

Njësoj mendon edhe Ismajl Kastrati, që sipas tij, nuk do të mbetet asgjë nga të rinjtë këtu, meqë të gjithë do të shpërngulen.

Edhe banorët e fshatrave përreth janë shprehur të mllefosur me gjendjen në të cilët ndodhet kjo zonë, ku sipas tyre nuk ka mbetur më perspektivë dhe shpresë për zhvillim.

Selver Lenjani, kryetar i fshatit të Karaçevës, thotë se migrimi i gjeneratave të reja është brengë e madhe për të gjithë.

Ndërkohë, kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati thotë se është e dhimbshme që qytetarët po largohen për mungesë të zhvillimit ekonomik. Ai pranon se komuna nuk ka shumë kompetenca në aspektin e zhvillimit ekonomik.

Sipas tij, një tjetër faktor që po ndikon në ikjen e qytetarëve është edhe forma si është duke funksionuar Bashkimi Evropian.

Behxhet Shala nga Këshillt për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thotë se pamundësia për gjetjen e vendeve të punës, mungesa e perspektivës dhe humbja e shpresës, janë shkaktarët kryesorë të ikjes së të rinjve.