​FIFA: Rritja e Arbër Zenelit e pasqyron rritjen e ekipit kombëtar të Kosovës në të njëjtën kohë

Organi qeverisës i futbollit botëror, FIFA, e ka publikuar një artikull me protagonist yllin e kombëtares kosovare, Arbër Zenelin, pas suksesit që treguan “Dardanët” në garën inauguruese të UEFA-s, Ligën e Kombeve.

Duke e parafrazuar pa vetëdije reperin Drake, Arbër Zeneli përqendrohet te sukseset e Kosovës. “Gjithçka nisi nga zeroja”. Dhe tani janë këtu, duke e festuar vitin 2018 të cilët e përfunduan të pamposhtur, shkruan FIFA.

Më pak se tre vite kanë kaluar që ky vend ballkanik u bë anëtari i 210-të i FIFA-s, dhe tani ka triumfuar në Ligën e Kombeve të UEFA-s, duke e fituar Grupin D dhe duket se sukseset e tyre do të vazhdojnë edhe më tutje.

“Ka qenë një vit fantastik për ne si një vend i ri. Ne kurrë nuk menduam se do ta kalonim vitin të pamposhtur me ndeshjet që i kemi luajtur”, ka thënë Zeneli, sulmuesi anësor i cili është duke shkëlqyer në Holandë për ngjyrat e Heerenveenit.

“Liga e Kombeve ka qenë kryesorja, natyrisht. Ne dëshiruam ta fitojmë grupin dhe ndeshja e fundit ishte një rezultat i mrekullueshëm për ne si shtet”.

Zeneli arriti ta shënojë një het-trick para tifozëve të lumtur në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke kontribuar kështu në fitoren me rezultat 4-0 dhe duke e dëshmuar pse është një nga lojtarët më të pëlqyer në Eredivisie këtë sezon.

Vetëm Steven Berghuis i Feyenoordit ka më shumë asiste se 23-vjeçari kosovar, i cili luan më së shumti në krahun e majtë, hyn brenda në qendër dhe e shkatërron mbrojtjen e kundërshtarëve. Nuk është aspak çudi që Ronaldo dhe Kaka janë dy idhujt e tij.

Rritja e Zenelit e pasqyron edhe rritjen e vendit të tij, që tani është ngritur në pozitën e 131-të në radhitjen e FIFA-s, duke u ngjitur kështu për 47 vende më lart që nga janari. I lindur në Suedi dhe djali më i madh nga tre fëmijët e familjes, futbolli kishte një ndikim të madh në familjen e tij.

Ai kishte qenë duke punuar deri në moshën 15-vjeçare për t’u bërë pjesë e Kombëtares së Suedisë, mirëpo Zeneli e gjeti veten në mëdyshje kur mori ftesën nga vendlindja e prindërve të tij, që tani ishte bërë anëtar i FIFA-s.

“Nuk e dija me të vërtetë se çfarë doja në atë kohë, por pas një kohe, e ndieja se ky ishte vendimi i duhur. E ndieja këtë gjë në zemrën time dhe vendosa ta bëjë këtë gjë. Asgjë deri tani nuk ka bërë të mendoj se e kam marrë vendimin e gabuar”, ka thënë golashënuesi më i mirë i Kosovës, me plot gjashtë gola.

I mbushur me krenari për ngjyrat e fanellës së tij, Zeneli ka thënë se disfata kundër Kroacisë me rezultat 6-0 ishte një mësim i mirë për futbollistët e Kombëtares së Kosovës. Ndërsa, rrugëtimin e mëvonshëm me Kombëtaren e Kosovës e kujton me lumturi.