​FFK përjashton nga Kombëtarja tre lojtarë, shkak fotografitë duke pirë cigare

Këshilli për çështje emergjente i FFK-së ka mbajtur mbledhje dhe ka analizuar dhe shqyrtuar pjesëmarrjen e Kombëtares së futsallit në ndeshjet kualifikuese për Kampionatin evropian 2022 në Gjeorgji dhe ka konstatuar se kjo Kombëtare nuk pati rezultatet të mira, duke mos arritur të përmbush objektivat e saj për kualifikim për rrethin elitë.

Po ashtu Këshilli për çështje emergjente ka analizuar me kujdes edhe paraqitjet individuale dhe sjelljet e futbollistëve në këto ndeshje, duke konstatuar se sjellja e disa futbollistëve nuk ishte në nivelin e duhur përfaqësues, ngase bartja dhe mbrojtja e fanellës së Kombëtares së Kosovës janë detyra dhe obligime të shenjta për secilin futbollist, që kërkon sjellje dinjitoze jo vetëm në lojë por edhe jashtë lojës.

Kështu që futbollistët, Oso Gjinovci, Bajram Ramadani dhe Dardan Topilla, gjatë udhëtimit për Gjeorgji kanë pasur sjellje që nuk përkojnë me Rregullat e etikës së një futbollisti përfaqësues, ndaj Këshilli për çështje emergjente ka marrë vendim për përjashtimin e tyre nga ekipi kombëtar.

Këshilli për çështje emergjente beson se kjo masë do të ndikojë tek këta futbollistë dhe tek të tjerët që të kenë kujdes, kur veshin fanellën e Kombëtares së Kosovës dhe mbrojnë ngjyrat e shtetit të Kosovës.

Kujtojmë se futbollistët e përjashtuar janë fotografuar duke konsumuar duhan në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” para nisjes për në Gjeorgji.