​FBK edhe një hap para, Dushku zbulon strategjinë për basketbollin e femrave

Tashmë nuk ka dyshime që Superligës së Kosovës në basketboll i është kthyer jehona dhe nami i viteve të pasluftës, por për drejtuesit e kësaj federate kjo nuk është e mjaftueshme.

Objektivi i radhës është që ky sport të jetë i pranishëm edhe në kategorinë e vajzave dhe Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), tashmë ka një plan se si do të arrihet ky qëllim.

Sekretarja e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku, ka thënë në një intervistë për KosovaPress, se shtrirja e basketbollit edhe te vajzat është objektiv i veçantë i kësaj federate dhe se kjo është e përfshirë në planin strategjik 2021/25 dhe atë jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj.

“Federata e Basketbollit prej kur e ka hartuar planin strategjik 2021/25 e ka caktuar si objektivë të veçantë, pra femrat dhe vajzat në basketboll. Kjo nënkupton jo vetëm, aktivizimi i vajzave në fushën e lojës por aktivizimi rreth fushës së lojës, që do të thotë për ne është e rëndësishme që ta rrisim numrin e vajzave sigurisht në fushën e lojës. Por është e rëndësishme të kemi edhe lidere nëpër klube, gjë që ende nuk po kemi mundësi të arrijmë aty, por sigurisht se do ta arrijmë gradualisht. Ndërsa po ashtu e kemi si objektivë ta rrisim numrin e refereve femra. Ta kemi një refere në ciklin e FIBA-së 2023/25, të cilën sigurisht se do ta kemi një vend, pastaj të kemi edhe trajnere femra dhe të kemi edhe administratore nëpër klube…Këtë vit në kuadër të kritereve për licencim të klubeve në Federatën e Basketbollit të Kosovës ka hyrë edhe Superliga e Femrave në kuadër të këtyre kritereve, me kritere bazike, që do të thotë se secili ekip i femrave ka pasur për obligim që përveç ekipës senior ta paraqesë edhe një gjeneratë U14 dhe U16.”, ka thënë Dushku.

Për ta realizuar sa më shpejtë këtë plan, Dushku shton se FBK është duke ofruar mbështetje të madhe financiare për të gjitha klubet e basketbollit të femrave si dhe për çdo organizim nga kjo kategori.

“Sa i përket gjendjes në teren mund të them që është shumë e mirë dhe klubet po hasin në frymë shumë pozitive sepse e kanë përkrahjen pa rezervë të Federatës së Basketbollit. Dua ta cek faktin që Federata e Basketbollit i mbulon shpenzimet e personave zyrtarë të ndeshjeve të të gjitha klubeve, duke filluar nga Superliga e femrave, Ligës së Parë të femrave, Ligës U16 dhe Ligës U14 si dhe çfarëdo aktiviteti tjetër që organizon ne i mbulojmë. Faktikisht për vitin e dytë radhazi jemi duke i blerë edhe fanellat e të gjitha ekipeve”, theksoi Dushku.

Në vazhdën e këtij angazhimi, javën e ardhshme në qytetin e Prizrenit do të organizohet Superkupa mbarëkombëtare për femra, ku do të marrin pjesë skuadra nga Shqipëria dhe Kosova.

“Ne jemi shumë të lumtur që kemi arritur që në koordinim me kryetarin e komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, pastaj me kryetarin e klubit të basketbollit të femrave, Rrahman Përteshi të gjejmë një gjuhë të përbashkët dhe të arrijmë që ta realizojmë Superkupën Mbarëkombëtare për Femra në qytetin e Prizrenit ku do të kemi kënaqësinë që do t’i kemi dy ekipe nga Shqipëria dhe dy ekipe nga Kosova të cilat do të luftojnë për këtë turne. Ne e dimë që para disa jave ka mbaruar Superkupa Mbarëkombëtare në Mitrovicë dhe premtojmë që do ta organizojmë në nivelin më të lartë të mundshëm së bashku me KBF “Bashkimi” edhe Superkupën Mbarëkombëtare në Prizren”, shtoi më tutje Dushku.

Dy javë më parë, në Kosovë qëndroi për vizitë zyrtare sekretari i përgjithshëm i FIBA-së, Andreas Zalgkis, i cili sipas Dushkut, ka ofruar mbështetje të madhe për basketbollin e Kosovës, por ai kishte disa kërkesa edhe sa i përket infrastrukturës.

“Kemi qenë për vizitë në Pallatin e Rinisë, ai ka qenë në dijeni për gjendjen e parketit sepse pikërisht prej zyrës së tij edhe kanë ardhur letra që duhet të ndryshohet parketi në mënyrë që të luhet në garat e nivelit të lartë si Përfaqësuesja e Kosovës ashtu edhe klubi i basketbollit “Prishtina”. Sipas bisedave që kemi pasur, nuk e sheh ai problem infrastrukturën sepse ka pasur takime të shumta, ka gjetur vullnet dhe sigurisht që ministria në takimin që kemi pasur është zotuar se do të investojë në infrastrukturë, por krahas kësaj do të investoj edhe në burime njerëzore, pra ngritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore dhe sigurisht që kur bëhen këto bashkë padyshim se do të arrijmë ta realizojmë planin strategjik që e kemi për 5 vite.”, tha Dushku.

Palestrat e stërmbushura me tifozë është një tjetër fakt që sekretarja e federatës thotë se po i bën shumë të lumtur ata si drejtues dhe se kjo dëshmon se nuk do të mungojnë edhe sukseset në arenën ndërkombëtare.

“Në fakt unë jam shumë e lumtur sepse ngado ku po eci dhe po takoj njerëz nëpër qytet po thonë basketbolli është rikthyer, po mbushet prapë palestra kështu që ne si udhëheqës të Federatës së Basketbollit kjo na bënë të lumtur dhe po besojmë që bashkërisht me klube do të arrijmë të bëjmë gjëra edhe më të mëdha, jo vetëm në nivel të garave vendore, por edhe në nivel të garave ndërkombëtare.”, tha në fund Dushku.